Protesta të dhunshme në Gjermani, policia zbret në rrugë për kongresin e AfD-së

4 July 2026, 15:15 / BOTA ALFA PRESS
Protesta të dhunshme në Gjermani, policia zbret në rrugë

Mijëra kundërshtarë të Alternativës për Gjermaninë dolën në rrugët e Erfurtit për të protestuar kundër partisë së ekstremit të djathtë dhe bllokuan hyrjen drejt godinës ku po mbahej Kongresi i saj.

Në protesta morën pjesë sindikata, organizata të shoqërisë civile dhe parti të majta, ndërsa policia angazhoi forca të shumta nga e gjithë Gjermania për të garantuar sigurinë gjatë konferencës dyditore. Sipas autoriteteve rreth 15 mijë persona morën pjesë në demonstratat në dhe perreth Erfurtit.

“Duam ta bëjmë të qartë se nuk do ta tolerojmë rritjen e fashizmit në Gjermani”, deklaroi Georg Becker, zëdhënës i grupit kundër AfD-së, “Widersetzen” apo “Rezistoni”.

Kongresi i AfD-së zhvillohet në një kohë kur kjo forcë politike kryeson në disa sondazhe kombëtare. Bashkëkryetarët Alice Weidel dhe Tino Chrupalla pritet të rizgjidhen në krye të partisë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në disa lande lindore konsiderohen vendimtare për ambiciet e saj politike. E themeluar më shumë se një dekadë më parë, AfD-ja ka fituar mbështetje të madhe falë retorikës nacionaliste, kërkesave për politika më të ashpra ndaj emigracionit dhe pakënaqësisë së votuesve me qeveritë e njëpasnjëshme si dhe stanjacionin ekonomik.

Kundërshtarët e akuzojnë partinë për promovim të politikave raciste dhe cenim të vlerave demokratike të Gjermanisë, ndërsa partitë tradicionale vazhdojnë të refuzojnë çdo bashkëpunim me të përmes strategjisë së ashtuquajtur “fireëall”, që synon ta mbajë AfD-në jashtë qeverisjes.

Sipas sondazheve të fundit, AfD gëzon rreth 29 për qind të mbështetjes në nivel kombëtar, kundrejt 22 për qind të bllokut konservator CDU/CSU të kancelarit Friedrich Merz. Në landin e Saksoni-Anhaltit, partia kryeson me 41 për qind të mbështetjes dhe synon të dalë fituese, ndërsa shpreson të bëhet forca më e madhe politike edhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore.

Po ndodh...