Ekskluzive/ Avokati i protestuesve të ndaluar: Njëri prej tyre ka pësuar katër kriza epileptike, kërkojmë trajtim mjekësor dhe jo paraburgim

4 July 2026, 13:49 / AKTUALITET ALFA PRESS

Njëri prej protestuesve të ndaluar gjatë protestave të fundit në Tiranë ka pësuar katër kriza epileptike që nga momenti i arrestimit, ndërsa avokati i tyre kërkon që ai të mos mbahet në ambientet e paraburgimit dhe të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në një intervistë ekskluzive për Alfapress.al, avokati i protestuesve, Gentian Serjani, deklaroi se gjendja shëndetësore e të riut Niko Qarkaj është përkeqësuar disa herë gjatë qëndrimit në komisariat.

“Një prej të ndaluarve ka pasur që në momentin e parë kriza epileptike. Duke pasur këto kriza, ne kemi kërkuar që ditën e parë që ai të mos mbahet në paraburgim. Që në momentin e parë ka pasur krizë dhe është dërguar në urgjencën e QSUT-së. Më pas ka kaluar sërish krizën e dytë, është dërguar në urgjencë dhe është kthyer sërish në komisariat. Edhe me krizën e tretë. Tani ka kaluar krizën e katërt. Ambulanca po e shoqëron tani në spital për ta vizituar. Por a mund të mbahet në këto ambiente një person që ka kriza epileptike? Ajo që kërkojmë është ta çojmë te mjeku”, u shpreh avokati.

Sipas tij, pjesa tjetër e protestuesve të ndaluar ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdojnë të shprehin qëndrimin e tyre politik edhe brenda ambienteve të komisariatit.

“Të burgosurit e tjerë janë mirë. Oshtijnë në korridoret e komisariateve me thirrjet ‘Edi Rama, jep dorëheqjen’”, tha ai.

Avokati ngriti gjithashtu shqetësime edhe për procedurat ligjore që po ndiqen pas arrestimeve, duke theksuar se policia kishte afat 48 orë për të dorëzuar dokumentacionin në prokurori.

“Nga momenti që janë arrestuar, policia ka pasur 48 orë afat për të dorëzuar dokumentacionet në prokurori. Me informacionet që kam, ato janë dërguar mëngjesin e sotëm. Zyrtarisht nuk kemi informacion. Prokuroria ka të drejtë 48 orë që të vlerësojë dokumentacionin që ka ardhur nga Policia e Shtetit dhe më pas ta dërgojë në gjykatë për të vendosur masën ndaj tyre”, përfundoi ai.

VIDEO

Po ndodh...