Nikut të ‘Ndranghetës’ dhe të Veliajt 'i ngushtohet laku'/ Dosja e oksigjenit drejt fundit, dy të pandehur para drejtësisë

26 Prill 2026, 13:08 / POLITIKË ALFA PRESS
Nikut të ‘Ndranghetës’ dhe të Veliajt 'i

Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 17, që ka të bëjë me një procedurë tenderuese mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmenit Besnik Halili, i cili zotëron kompaninë “G.T.S – Gazra Teknike Shqiptare”.

Redaksia e Ora News mëson se SPAK i ka komunikuar akuzën dy personave të përfshirë në këtë aferë, e cila dyshohet se është korruptive dhe e kryer për qëllime përfitimi. Dy personat e vënë para drejtësisë mbeten ende sekret nga SPAK, pasi hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së përdorur.

Mësohet se dy kompanitë e themeluara nga biznesmeni Besnik Halili, “GTS – Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kanë fituar përmes trukimit të procedurave dy tendera, njëri me vlerë rreth 1 miliard e 992 milion lekë dhe tjetri me vlerë rreth 1 miliard e 986 milion lekë të vjetra.

Sipas SPAK, e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar, pasi zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe punonjës të kompanisë së biznesmenit Halili dyshohet se kanë bashkëpunuar për hartimin e kritereve të posaçme, në mënyrë që fitues të ishte kompania e tij.

Bëhet fjalë për dy procedura tenderuese të hapura në vitin 2019 nga Ministria e Shëndetësisë. E para lidhet me “Blerjen e barnave anestezi-reanimacion, antineoplastike dhe imunomoduluese”, e ndarë në 33 lote me vlerë rreth 198.628.628 lekë pa TVSH.

Procedura e dytë lidhet me “B6 – Blerje barna për anestezi-reanimacion, organet e shqisave, psikiatri dhe sistemi kardiovaskular”, e ndarë në 35 lote me fond limit rreth 199.297.631 lekë pa TVSH.

Të dyja procedurat janë zhvilluar me skemën e marrëveshjes kuadër dhe kanë pasur një shtrirje kohore furnizimi prej 12 muajsh.

Për thellimin e hetimeve, më 20 maj 2024, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë ushtruar kontroll në ambientet e kompanisë “GTS – Gazra Teknike Shqiptare”, duke sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefona të 12 personave, mes të cilëve biznesmeni Besnik Halili, bashkëshortja e tij Luneda Sufali, vëllai Ergys Sufali, si dhe persona të tjerë.

Sipas burimeve të hapura, Besnik Halili dyshohet për lidhje me grupin kriminal “Ndrangheta”. Në disa komunikime ai përmendet me nofkën “Niku”, ku pretendohet se ka pasur lidhje edhe me struktura në Bashkinë e Tiranës dhe ka ndikuar në leje ndërtimi kundrejt ryshfeteve.

Po ashtu, në të njëjtat burime thuhet se personi i njohur si “Niku” ka qenë i përfshirë edhe në tendera të Ministrisë së Shëndetësisë, kryesisht në furnizimin e spitaleve me oksigjen. 

Po ndodh...