“Mos fol, pusho! Fike telefonin, e ke zakon që përgjon! Ti tjetri përgojon në tavolina komisariatesh”, zbardhen përplasjet e Ramës me disa deputetë brenda grupit

29 Mars 2026, 14:16 / POLITIKË ALFA PRESS

“Mos fol, pusho! Fike telefonin, e ke zakon që përgjon! Ti

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar të shtunën në Pallatin e Brigadave dhe e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është shoqëruar me debate dhe tensione mes pjesëmarrësve.

Takimi, që zgjati rreth gjashtë orë, mblodhi deputetët socialistë dhe ministrat e kabinetit qeveritar, ndërsa në fokus kanë qenë diskutimet mbi çështje të brendshme dhe ecurinë e punës së institucioneve.

Fillimisht, Rama iu drejtua Damian Gjiknurit, duke e akuzuar për regjistrim dhe nxjerrje të bisedave private.

“Fik telefonin se e ke zakon që regjistron dhe i nxjerr gjërat që regjistron”, mësohet t’i ketë thënë Rama.

Në vijim, kryeministri ka ironizuar edhe ish-ministrin Ervin Hoxha, duke e kritikuar për diskutime jashtë ambienteve zyrtare.

“Po ti do vazhdosh akoma të bësh llafazanllëqe nëpër tavolina komisariatesh?”, i është drejtuar Rama.

Debati, që ka ndodhur në një takim të mbyllur për median, tregon për klimën e tensionuar brenda radhëve të mazhorancës.

Sipas burimeve, një nga momentet më të tensionuara ka qenë gjatë fjalës së drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli. Gjatë prezantimit të saj, deputetja Elisa Spiropali është shfaqur e pakënaqur, duke reaguar me mimika dhe komente, çka ka sjellë ndërhyrjen e saj të drejtpërdrejtë për t’i kërkuar Goxhobellit më shumë kujdes në komunikim me deputetët.

Tensionet kanë vijuar edhe gjatë diskutimit të Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila, sipas burimeve, ka reaguar ndaj qëndrimit të Spiropalit duke kërkuar sqarime për ndërhyrjet dhe komentet e saj gjatë mbledhjes.

Në këtë moment ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit me tone të ashpra, duke kërkuar që të respektohet rendi dhe rregulli i mbledhjes.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar mbi përmbajtjen e plotë të diskutimeve, ndërsa burimet theksojnë se mbledhje të tilla janë pjesë e proceseve të brendshme të organizimit dhe funksionimit të forcës politike në pushtet.

Po ndodh...

ide