Ç'fitoi Berisha nga dashuria për Trump?/ Bushati: U bë trampist, Haxhiu: Njeri në hall...

28 Korrik 2025, 21:15 / POLITIKË ALFA PRESS
Ç'fitoi Berisha nga dashuria për Trump?/ Bushati: U bë

Që prej rikthimit të Donald Trump në Presidencë në SHBA, Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë patur shpresë se kjo do të sjellë të mira edhe për ta. Por çfarë ka arritur PD me ndryshimin e administratës në SHBA dhe me angazhimin e lobistit të Trump në fushatë? 

Sipas analistit Andi Bushati, Berisha nuk ka qenë ndonjë "trampist" i thekur, por është detyruar të ketë këtë linjë për shkak të lidhjeve të forta të Ramës me administratën e demokratëve. Bushati tha se PD ka disa "mini suksese", kryesisht në formën e deklaratave që kanë ardhur nga SHBA. 

"Besoj që Berisha nuk e kishte dashuri pasioni këtë, por dashuri interesi. Në dashuri interesi, humbja relativizohet pak. Berisha nuk ka qenë ndonjë trampist i madh, po ta shohësh ai ka qenë afër linjës së Republikanëve tradicionalë. Rrethanat e sollën të bëhet trampist, sepse kundërshtari politik në Shqipëri përfitoi shumë nga administrate demokrate. A ishte kjo një lëvizje koherente dhe e moralshme? Unë bëj pjesë te ata njerëz që afishimin përkrah trampizmit e quaj një mëkat dhe më duket si një lidhje oportunisti meskin ajo që bëri Berisha me Trump. Me koston e një manovratori politik, gjithsesi arriti disa mini sukseese.

E para pesonale, që mori deklarata që non-grata për Berishën ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ka qenë e padrejtë, etj, etj. Loboi fuqishëm me Continental Strategy, një kompani që janë të gjithë njerëzit që kanë lobuar për Trump. I hoqi Ramës dafinat e fitimtarit që do ia jepnin si në 2021. U mundua të amortizojë goditjen që do të merrte nga humbja, ky qe avantazhi që mori Berisha duke veshur kapelen e trampistit", deklaroi Bushati. 

Ndërsa Baton Haxhiu, e quajti Berishën një "njeri në hall", që gaboi me marrjen e LaCivita si strategjist i fushatës. 

"Po flasim për një njeri që ishte në hall dhe një njeri në hall gjen hapësirë për t’u rikthyer në fitore duke përdorur edhe LaCivita, përrallën për Trump dhe duke provuar të manipulojë opinionin publik se ai është shpëtimi i Shqipërisë. Ai ishte shpëtimi i Berishës dhe jo i Shqipërisë. Nuk ishte arsye që do të fitonte zgjedhjet. Një i huaj nuk t'i fiton zgjedhjet, një i huaj mund të të rrëzojë vetëm nga pushteti. LaCivita ishte projekt i cili kishte dy rrugë. E para, gënjeshtra se do të hiqet non-grata dhe e dyta, do të bindë shqiptarët që ky është përfaqësues i Trump dhe Trump e ka vrarë gjarpërin Soros dhe kështu do të ndodhë edhe me Ramën.

Të dy rrugët dështuan dhe dështimi ishte jo pak i vogël, spektakolar. U vërtetua se një strategjist i huaj nuk ndërton rrëfimin për fitore, nëse nuk e ke idenë e fitores dhe seriozitetin e saj. Nuk e ndërton rrëfimin brenda vendit nëse nuk ke rrëfim tëndin. Berisha nuk pati rrëfim, ideologjikisht ishte i mangët, fyes dhe në momente të caktuara nuk kishte ide përse e kërkon pushtetin. Shpresa e madhe e kishtë emrin LaCivita, por për mua ai ka qenë dështim i madh dhe arsyeja pse nuk duhej thirrur. E kam thënë nuk është njeriu i duhur, sepse njeriu i duhur është njeriu shqiptar", tha Haxhiu. 

Po ndodh...