Policia identifikon personin që gjakosi gazetarin! Ilir Demalia u godit sapo doli nga shtëpia, denoncoi parkimin e makinave në oborrin e pallatit

1 July 2026, 13:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

Personi që ka dhunuar analistin dhe gazetarin Ilir Demalia është identifikuar nga shërbimet e Policisë së Tiranës dhe menjëherë kanë nisur kërkimet për kapjen e tij. Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale R.S, makinat e të cilit është bllokuar në vendngjarje.

"Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij", njofton Policia.

Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Nga spitali, analisti dhe gazetari Ilir Demalia ka deklaruar se është dhunuar nga dy persona sapo ka dalë nga apartamenti i tij në rrugën "Çamëria", pasi këta persona kanë pretenduar se ai kishte njoftuar Policinë t'i gjobiste për parkimin në oborrin e pallatit.

“Asgjë, po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes që kanë dyqan aty më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë.

Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot. Si shqiptarët, shihemi online, në media, jemi një popull që veç urrejmë, por nuk e kuptojmë që me këtë do të shkatërrojmë vetveten.

Shumë njerëz më thonë pse rri, pse ashtu, unë rri ku të më dojë qejfi mua. Nuk besoj që më rrahën për qëndrimet e politikës, por pse kam ngritur problemin për të pastruar parkimin e asaj zone, se nuk hyjmë dot në shtëpi. Këtu është vendi i cubave. Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. A ka shtet këtu? E bëra denoncimin. Më dhunuan me grushte, ishin dy veta”, është shprehur Ilir Demalia për "Shqipëria Live".

 

Po ndodh...

ide