Nuk bëhet Shqipëria e re, me Shqipërinë e vjetër!

30 June 2026, 14:27 / IDE NGA ROLAND BEJKO
Nuk bëhet Shqipëria e re, me Shqipërinë e vjetër!

Çdo lëvizje shoqërore a politike e fiton kauzën e vet së pari, kur siguron epërsinë morale ndaj asaj që do të mundë, dhe së dyti, kur mbështetësit e saj janë mbartës të këtyre vlerave morale që përfaqëson kauza  e lëvizjes, dhe dalë-ngadalë bëhen shumicë numerike.

Kur kauza është e drejtë dhe në epërsi morale ndaj kundërshtarëve, por në minorancë përsa i përket numrave, mund të mbijetojë për ca kohë, ndoshta dhe për shumë kohë, por e ka të vështirë të fitojë në kohë të shpejtë...

Ky është rasti i disidentëve antikomunistë që nuk u konformuan me diktaturën komuniste, por vdiqën para 1990 pa e parë rënien e saj, si psh Musine Kokalari, etj.

Pra, ata kishin të drejtë duke qenë kundër diktaturës sepse ajo ishte e keqja, ndërkohë që shumica i cilësonte armiq të popullit e të partisë. Por kauza e tyre fitoi vonë, pas 45 vjetësh, ndaj ata nuk e morën vesh fare, që koha u dha të drejtë.

Pse? Sepse ata disidentë nuk mundën ta bënin me vetë shumicën e qytetarëve shqiptarë, madie edhe në '90, u desh të vinte Sekretari amerikan i Shtetit që shqiptarët të votonin kundër PPSH, pavarësisht se moralisht, dhe politikisht ishin e drejta dhe e vërteta historike. Po cila është kauza e kësaj proteste që po mbështesim tani?

Është shembja e oligarkisë politiko/ekonomiko/kriminale që përfaqësohet nga establishmenti i vjetër i dyshes  Rama-Berisha, të cilët, jo vetëm kanë deformuar demokracinë si sitem vlerash të paktën që nga 2008 e këtej me ndryshimet e ndyra kushtetuese, por edhe kanë bërë të mundur shkatërimin e ekonomisë së tregut si faktor të rritjes së mirëqënies së qytetarëve, duke e kthyer të parën në demokraci hibride, e të dytën në ekonomi kriminale e monopolesh të kontrolluara.

Oligarkët të cilat i strukturoi Berisha dhe i rriti Rama, u kthyen në monstra që siç po duket nga hetimet e SPAK, kanë thithur gjithë paranë kriminale të botës së errët duke i investuar në ndërtim kullash e resortesh, apo duke tjetërsuar pronat e shqiptarëve në duar të kriminelëve dhe delenkuentëve të transformuar pa meritë në zengjin të rinj. Rënia e tyre, prej protestave është kuptuar drejt nga mbështetësit e saj.

Ata e konsiderojnë rënien e kësaj kaste si fundin e epokës së tranzicionit 35 vjeçar, dhe kam bindjen se kanë të drejtë. Në këtë kuadër unë kam dy qëndrime të cilat po i shpreh këtu. E para, pra, që kauza të fitojë, duke qenë se kartën morale e ka me vete, dhe shumë të fortë madie, kjo protestë duhet së pari të fitojë  mbështetjen e shumicës numerike të shqiptarëve...(duhet me qenë realistë, nisur nga votimet e vitit të kaluar atë shumicë zyrtarisht, në numra e ka Rama+Berisha). Por në rast se kjo kauzë arrin të kapë, 3.5% të mbështetjes së opinionit publik, (Shkrim i Adri Nurellarit para disa ditësh tek Exit.al me të cilin unë jam dakord), atëherë ka kapur një bazë të qëndrueshme të opinionit publik, e cila shumë shpejt falë konsistencës do bëjë që pesha e balancës për të siguruar shumicën, të përmbyset në favor të protestuesve. Dhe kur periferia (kauza e protestës) bëhet më e madhe në numër dhe në vlerë morale se bërthama, Rama-Berisha, e cila me sa duket po zvogëlohet përditë, ajo është e destinuar të fitojë ditën kur do ballafaqohen me votë.

Prej kësaj do dalë pastaj Shqipëria e Re si po artikulojnë protestuesit, të cilën duhet ta ndërtojnë parti të reja që duhet të dalin në skenë për t'u ndeshur me ato tradicionalet ose të vjetrat, për aq kohë sa PD refuzon të reformohet duke qëndruar me arrogancë  peng e një individi dhe një klani me lidhje të forta me botën e pisët të kullave, resorteve, oligarkëve dhe trafikantëve, (Refruar Non Gratës Britanike).

Së dyti, të gjithë ata që mbështesin këtë kauzë, duhet të përfaqësojnë të njëjtat vlera morale superiore që mbart kauza ndaj establishmentit të vjetër, duke qenë të distancuar qartë e prerë nga këto figura politike, paçka se njëri ka zgjedhur të kërcënojë me përndjeke personale ata që i janë vënë pas, e tjetri i jep formalisht mbështetje protestës me shpresën e atij shpendit grabitqar që pret të hajë prehën e rradhës që do vritet prej të tjerëve, në këtë rast prej protestuesve. Nëse nuk distancohen, ata janë aty, për ta çuar kauzën në duar të tij, gjë që do të thotë, fikje e saj.

Nga humbja e së cilës Berisha nuk humbet asgjë, dhe të dy me Ramën fitojnë statuskuonë, njëri në krye të qeverisë e tjetri në krye të ndërmarrjes fitimprurëse për klanin e tij në krye të opozitës. Askush të mos ketë ndonjë iluzion se Shqipërinë e Re mund ta bëjë kasta e vjetër politike. Në rast se është qëllim në vetvete siç ka qenë edhe në të shkuarën se për Shqipërinë do jetë mirë që e keqja më e madhe të zëvendësohet me të keqen më të vogël, d.m.th, që Rama të zëvendësohet me Berishën, ky ka për të qenë një eksperiment i dështuar, dhe shumë i rrezikshëm. Më mirë se kushdo tjetër, ma merr mendja se dështimin e kësaj formule e njeh i nderuari z. Fatos Lubonja. Me këtë moto u bë rotacioni në 1997, në 2005, dhe në 2013.

Por e pamë se çfarë monstre na prodhoi rotacioni midis dy të këqijave, i asaj të voglës që u bë e madhe në pushtet, dhe i kësaj ish të madhes, që u bë e vogël në opozitë, por që nëse do rikthehet në pushtet, do kemi të bëjmë sërish me një përbindësh tjetër që ndoshta do duhen akoma dhe dy dekada të tjera për ta mundur prapë...

Në rast se do shkohet me idenë se që të mundim Ramën, duhet të bashkëpunojmë me Berishën, siç edhe ka filluar të artikulohet nga njerëz të klanit Kapo, nën pretekstin se ai ka shumicën e votave në opozitë, kjo është kriminale. Po qe se protestat rrëzojnë  Ramën e në pushtet vjen Berisha së bashku me përfaqësuesit e protestës a partitë e vogla si kualicion i gjerë, asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë. Për më keq, po.

Berisha dhe klani i tij janë garancia më e mirë e vazhdimësisë së statuskuosë oligarkike dhe më tej se kaq. Aleanca e vetme që duhet bërë, është ajo me shqiptarët dhe vetëm me shqiptarët e papërlyer nga këto falanga. Ndaj, kushdo që deri para protestave ka qenë i rreshtuar përkrah Ramës apo Berishës, duke tentuar madie t'i restauronin me shkrime në media e debate televizive,  imazhin e grisur në sytë e shqiptarëve si njërit dhe tjetrit, para se të komentojë pro protestës e duke u shprehur madie për një Shqipëri të Re pa autokratë, duhet ta dijë se kjo protestë nuk bëhet për të hequr klanin e autokratit Rama nga pushteti që në vend të tij të vijë klani i autokratit Berisha.( Le të parovojnë njëhetë e ta artikulojnë këtë tezë në mes të protestës të shikojmë sa do t'u ngjitë...)

Larg qoftë, nëse kjo ndodh,  pasi dihet që luftrat i bëjnë trimat, por pushtetin e gëzojnë mjeshtrat, atëherë në atë shesh ku sot zhvillihet protesta plurale e qytetarëve, dikush duhet të marë padkësaj megafonin në dorë e të të thërasë me të madhe; " Shqipëri të kam dhj*, s'të kuptova asnjëherë", e me kaq ta mbyllin ndershmërisht këtë histori të bukur proteste qytetare, por pa histori të re!/Alfapress.al

Po ndodh...

ide