“Diferencim sipas rolit e përgjegjësisë”/ Kreu i SPAK: E domosdoshme të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore

1 July 2026, 11:22 / POLITIKË ALFA PRESS

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se është e nevojshme të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore, veçanërisht për rastet më të rënda dhe të organizuara.

Gjatë raportimit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Braho theksoi se kjo nuk duhet të nënkuptojë rritje mekanike të dënimeve për çdo rast, por vlerësim më të saktë të marzheve të dënimit, sidomos kur veprat penale kryhen në bashkëpunim ose në mënyrë të përsëritur.

Ai propozoi gjithashtu një qasje më të diferencuar në individualizimin e dënimeve, duke ndarë qartë rolin e personave të përfshirë në krime zgjedhore: nga zgjedhësit vulnerabël, te përfaqësuesit e subjekteve politike, kandidatët, shtabet elektorale, financuesit e fushatave, zyrtarët publikë dhe nëpunësit e administratës.

Sipas tij, sa më i lartë të jetë roli organizues, politik apo financiar i një personi në një skemë të krimit zgjedhor, aq më i fortë duhet të jetë edhe reagimi penal i shtetit.

 

Braho nënvizoi se vetëm një qasje e tillë e diferencuar mund të rrisë efektivitetin e ndëshkimit dhe të ketë efekt real parandalues ndaj shkeljeve të integritetit zgjedhor.

Po ndodh...

ide