Autor i 36 vjedhjeve, dënohet me burg shqiptari në Belgjikë

11 July 2026, 12:05 / AKTUALITET ALFA PRESS
Autor i 36 vjedhjeve, dënohet me burg shqiptari në Belgjikë

Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me katër vite burg nga një gjykatë në Belgjikë, pasi u shpall fajtor për 36 vjedhje me thyerje dhe tentativa vjedhjeje të kryera në provincën e Antverpit.

 
Sipas autoriteteve belge, shqiptari i identifikuar si Emiljan V. i ka kryer vjedhjet në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Grupi kishte në shënjestër kryesisht banesa, nga ku vidhnin para dhe bizhuteri.

Ngjarjet kanë ndodhur gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2025, ndërsa vjedhjet janë regjistruar në disa qytete dhe zona të Belgjikës, mes tyre Lille, Beerse, Vosselaar, Ranst, Brasschaat, Heist-op-den-Berg, Rumst, Kontich dhe Wechelderzande.

Sipas mediave belge, më 11 dhjetor 2025 autorët u përballën edhe me banorët e një shtëpie në Tremelo, në rajonin Flemish Brabant. Para se të largoheshin me para dhe bizhuteri të vjedhura, ata kërcënuan me thikë një prej banorëve.

Hetimet çuan në identifikimin e 31-vjeçarit shqiptar falë gjurmëve të këpucëve të gjetura në një nga vendngjarjet në Beerse, si dhe të dhënave të kamerave të njohjes automatike të targave (ANPR).

Gjatë procesit gjyqësor, Emiljan V. pretendoi se kishte shërbyer vetëm si shofer për bashkëpunëtorët e tij dhe se nuk kishte dijeni se ata do të kryenin vjedhje. Megjithatë, gjykata e cilësoi këtë version të pabesueshëm, duke vlerësuar se ai kishte vepruar në bashkëpunim me grupin për organizimin dhe kryerjen e grabitjeve.

Përveç dënimit me katër vite burg, gjykata urdhëroi edhe dëmshpërblimin e viktimave, me një vlerë totale që kalon 75 mijë euro. Aktualisht, 31-vjeçari ndodhet nën mbikëqyrje elektronike me byzylyk në kyçin e këmbës, në pritje të ekzekutimit të vendimit.

Po ndodh...

ide