Nga Tepelena te Roskoveci e Mirdita, bashkitë që rrezikojnë të shkrihen sipas një skenari të propozuar nga PS

20 July 2026, 21:23 / POLITIKË ALFA PRESS
Nga Tepelena te Roskoveci e Mirdita, bashkitë që rrezikojnë

Partia Socialiste po shqyrton disa skenarë për ndryshimin e hartës administrativo-territoriale, ku një pjesë e bashkive të vogla mund të humbasin statusin aktual dhe t’u bashkohen njësive më të mëdha fqinje.

Në një tabelë të hartuar mbi bazën e raportit të ekspertëve të PS-së renditen 14 bashki të konsideruara më të rrezikuara për shkak të rënies së popullsisë, dobësisë ekonomike, financave të kufizuara ose mungesës së funksionalitetit.

Në listë përfshihen Libohova, Këlcyra, Delvina, Memaliaj, Tepelena, Fushë-Arrëzi, Belshi, Prrenjasi, Roskoveci, Mirdita, Pusteci, Poliçani, Konispoli dhe Skrapari.

Tepelena dhe disa bashki të tjera të jugut penalizohen kryesisht nga tkurrja demografike, ndërsa për Libohovën dhe Memaliajn problem mbetet edhe aftësia për të ofruar shërbime të plota vendore.

Delvina konsiderohet e rrezikuar për shkak të afërsisë me Sarandën, ndërsa Belshi për shkak të lidhjeve të forta me Cërrikun.

Prrenjasi mund të preket nga një skenar bashkimi me Librazhdin, për shkak të lidhjeve funksionale mes dy zonave.

Roskoveci renditet mes bashkive më të rrezikuara për shkak të dobësisë ekonomike dhe afërsisë me Patosin dhe Fierin.

Edhe Mirdita është përfshirë në listë për shkak të rënies së popullsisë dhe problemeve ekonomike, megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar për fatin e saj.

Pusteci paraqitet si bashkia me problemet më të shumta, pasi përballet njëkohësisht me tkurrje demografike, financa të dobëta dhe ekonomi të kufizuar.

Poliçani rrezikohet për shkak të potencialit të ulët ekonomik, ndërsa Konispoli dhe Skrapari për shkak të kombinimit të problemeve demografike dhe ekonomike.

Sipas skenarit të diskutuar, numri i bashkive mund të ulet nga 61 në rreth 50, çka do të sillte shkrirjen ose bashkimin e rreth 10 deri në 11 njësive vendore.

Megjithatë, lista nuk përbën ende një vendim zyrtar. Ajo është pjesë e analizës së PS-së për reformën e re territoriale dhe mund të ndryshojë gjatë negociatave politike.

Për miratimin e hartës së re territoriale kërkohet shumicë e cilësuar në Kuvend, ndaj ndryshimet do të varen edhe nga dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës. /skyweb.al 

Po ndodh...