Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

20 Prill 2026, 11:17 / KOSOVA ALFA PRESS

Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike

Qeveria e Kosovës e ka shpallur si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjatë një mbledhjeje të hënën në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti tha gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij se “përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.

Ai e përshkroi IRGC-në si “strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global”.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rishtazi, Bashkimi Evropian e shpalli atë si terroriste pasi Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi 6.000 njerëz u vranë gjatë protestave në Iran.

Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Futja e një grupi apo organizate në listën e zezë nënkupton zakonisht ngrirje asetesh së saj në atë vend dhe regjim vizash për udhëheqësit dhe zyrtarët e saj./REL

 

Po ndodh...

ide