IKSHPK bën thirrje qytetarëve të Kosovës për kujdes nga temperaturat e larta

26 Korrik 2025, 14:04 / KOSOVA ALFA PRESS
IKSHPK bën thirrje qytetarëve të Kosovës për kujdes nga

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) bën thirrje që sot qytetarët të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

IKSHPK ka nxjerrë sot udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta, që pritet të arrijnë deri në 40 gradë.

“Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme.

Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur janë: Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.

“Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).

Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu IKSHPK bën thirrje për kujdes për grupet e cenueshme:  Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, paaftësi apo që jetojnë vetëm.

Po ashtu për fëmijët: Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00). /KosovaPress/

Po ndodh...