Gjyqi në Hagë, Presidentja Osmani: Pavarësia e Kosovës rezultat i sakrificës së popullit dhe UÇK-së

9 Shkurt 2026, 19:54 / KOSOVA ALFA PRESS

Gjyqi në Hagë, Presidentja Osmani: Pavarësia e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke kujtuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e shumta gjatë luftës.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullneti i popullit të Kosovës. Ishte një sakrificë shekullore, për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm, dhe për të cilën luftuan me heroizëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.

Ajo ka denoncuar gjithashtu krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, duke i cilësuar si gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas presidentes, strategjia e Serbisë kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, duke përfshirë vrasjen dhe masakrimin e mijëra fëmijëve, grave dhe burrave, dhunimin e mijëra personave, shkatërrimin e qindra mijëra shtëpive, dëbimin e mbi 80% të qytetarëve nga vendbanimet e tyre dhe spastrimin etnik.

Osmani kritikoi përpjekjet për të barazuar luftën e UÇK-së me krimet e kryera nga Serbia, duke theksuar se këto tentime dëmtojnë drejtësinë dhe minojnë paqen afatgjatë.

“Çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me veprimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”, theksoi ajo.

Në përfundim, presidentja Osmani ritheksoi kërkesën për drejtësi dhe rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike:

“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet nga përpjekjet për ta rishkruar historinë dhe për ta zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, përfundoi Osmani.

Po ndodh...

ide