Fatmir Limaj, kryeparlamentar? Sot takimi mes kreut të Nismës dhe kryeministrit Kurti për zgjidhjen e krizës
Këtë të shtunë pritet që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të zhvillojë takim me liderin e NISMËS, Fatmir Limajn, si përpjekje për të arritur një marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga bllokada institucionale që zgjat prej muajit prill.
Nga partia e Limajt thonë se ai dhe NISMA janë alternativa e vetme për Kurtin.
“Ky është realiteti politik. NISMA dhe lideri Fatmir Limaj e kanë kuptuar që në fillim, andaj kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit. Presim edhe nga lideri i LVV-së të tregojë vullnet. Aktualisht alternativa e vetme është NISMA. Nuk ka ofertë tjetër – ne kemi ofruar bashkëpunim pa kushte: që ekzekutivi t’i takojë partisë fituese, ndërsa në krye të Kuvendit të jetë Limaj”, u shpreh Xhevahire Izmaku, deputete e NISMËS.
Ky takim pritet t’i paraprijë zhbllokadës, pasi në rast arritjeje të marrëveshjes, synohet që konstituimi i Kuvendit të bëhet në vazhdimin e se hënës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje theksojnë se po vazhdojnë të jenë konstruktivë për të gjetur zgjidhje.
“Takimet me përfaqësues politikë, VV-ja po i zhvillon vazhdimisht – jo vetëm sot, por edhe dje, pardje dhe do t’i vazhdojmë edhe nesër. Le të shihet nga të gjithë kush është bllokuesi i vërtetë pas 50 tentativave për formimin e Kryesisë së Kuvendit”, tha Artan Abrashi deputet i LVV-së.
Në Partinë Demokratike të Kosovës ka qëndrime të ndryshme për votimin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk do ta votojnë atë.
“Mendoj që PDK-ja do të votojë Fatmir Limajn për kryeparlamentar. Ai ka treguar një virtyt që e vlerësoj shumë. Për të mbajtur një pozitë shtetërore, mendoj që njeriu duhet ta dojë këtë vend – edhe nëse nuk di, ka këshilltarë që mund ta mësojnë. Mendoj se Limaj e do këtë vend”, tha Jakup Nura, deputet i PDK-së.
“Nuk kam votë për Fatmir Limajn. Ai nuk e meriton votën time. Kam deklaruar që para fushatës kanë folur shumë rëndë për Albinin, e pas fushatës po e vlerësojnë”, Nait Hasani, deputet i PDK-së.
“Edhe nëse ata arrijnë dakordësim, votën time Limaj nuk do ta ketë. Ne kemi dhënë propozimet tona – cilido prej VV-së që nuk është i angazhuar në ndonjë ministri, do ta votonim. Por Limajn jo”, Lahi Brahimaj, deputet i AAK-së.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar tash e tre muaj. Afati i fundit për këtë proces, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është data 26 korrik.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
