Pas heqjes së sanksioneve amerikane për korrupsion, a është “rikthyer” vërtet Sali Berisha?

Pesë vjet pasi SHBA e shpalli “non grata”, Donald Trump i ka dhënë Sali Berishës një “waiver” (përjashtim). Por sa ndryshon realisht kjo për partinë opozitare që ai drejton?
Lideri 81-vjeçar i opozitës, një figurë e pandashme e jetës politike shqiptare për më shumë se tre dekada, në fakt nuk ishte larguar kurrë. Megjithatë, ai kishte arsye të pretendonte se kishte marrë një frymëmarrje të re politike.
Pothuajse një vit e gjysmë pasi Berisha njoftoi se do t’i drejtohej Donald Trumpit, Shtetet e Bashkuara këtë muaj hoqën sanksionet e vendosura ndaj tij në vitin 2021 nga administrata e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, për korrupsion të pretenduar.
Shpallja “non grata” e Berishës çoi në përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, partisë që ai themeloi, duke shkaktuar një betejë të ashpër për drejtimin e saj mes tij dhe Lulzim Bashës. Një vendim gjykate ia riktheu drejtimin Berishës në vitin 2024, por kjo nuk ndikoi ndjeshëm në përmirësimin e shanseve elektorale të partisë kundër socialistëve të kryeministrit Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013.
Berisha u duartrokit në Kuvend pas lajmit për kthesën amerikane lidhur me sanksionet. Deputeti demokrat dhe mbështetësi i tij, Belind Këlliçi, tha se këto sanksione kishin “rënduar shumë” mbi partinë.
Sipas tij, ky ishte një zhvillim pozitiv, duke pasur parasysh ndikimin që kishin pasur në perceptimin publik të partisë për shkak të “propagandës intensive mediatike”.
Megjithatë, analistët politikë thonë se do të duhet shumë më tepër sesa një “waiver” nga Trump për të ringjallur shanset e Partisë Demokratike për t’u rikthyer në pushtet.
Për shumë shqiptarë, Berisha mbetet një barrë politike, gjë që dëshmohet edhe nga thirrjet kundër tij gjatë protestave masive të dy javëve të fundit, të nxitura nga një projekt zhvillimi turistik në bregdet i lidhur me familjen Trump dhe i promovuar nga Rama.
Berisha vazhdon gjithashtu të jetë në gjyq në Shqipëri./ Përktheu Alfapress.al nga BalkanInsight
“Në aspektin ligjor, ai vazhdon të jetë nën hetim nga SPAK-u dhe nuk ka asnjë ndryshim në këtë status. Ndërsa sa i përket protestave qytetare, ai është po aq objektiv i tyre sa edhe Rama”, tha Rigels Xhemollari nga organizata Qëndresa Qytetare.
“Pra, edhe në perceptimin publik, kjo lehtësim i masës nuk i solli ndonjë kredibilitet politik.”
Berisha shihet si pjesë e gardës së vjetër që qytetarët duan të largojnë
Protestat në Shqipëri u nxitën nga një përballje mes interesave të mëdha dhe sundimit të ligjit në një pjesë të vogël dhe pothuajse të paprekur të bregdetit shqiptar, ku autoritetet akuzohen se kanë anashkaluar ligjin për t’i hapur rrugë një projekti luksoz turistik të lidhur me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner.
Megjithatë, ky ishte vetëm shkaku fillestar. Ajo që i shtyn qytetarët të protestojnë çdo ditë janë pakënaqësitë e akumuluara prej vitesh: dështimi i shtetit për të luftuar korrupsionin, për të garantuar barazinë para ligjit dhe lirinë e medias.
Për këto probleme, ata fajësojnë jo vetëm Ramën, por edhe Berishën, i cili ka qenë kryeministër para Ramës dhe presidenti i parë demokratik i Shqipërisë në vitet 1992-1997. Presidenca e tij përfundoi në kaos pas kolapsit të skemave piramidale dhe grabitjes së depove të armëve të ushtrisë.
Një nga sloganet kryesore të protestave është:
“Rama në burg, Berisha në burg.”
Natyrisht, Uashingtoni nuk i dëgjoi këto thirrje.
Më 12 qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se kishte lëshuar “waiver” për disa shpallje sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e tyre “i shërben një interesi të rëndësishëm kombëtar”. Mes përfituesve ishin Berisha, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij.
Administrata Biden e kishte shpallur Berishën “non grata” për “përfshirje në akte korruptive”, një goditje e rëndë për deputetin e opozitës, duke pasur parasysh respektin e madh që shumë shqiptarë kanë për SHBA-në, aleatin në NATO dhe mbështetësin kryesor të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.
Berisha investoi politikisht te Trumpi, duke e quajtur rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025 një “mrekulli”. Më pas ai punësoi strategun elektoral të Trumpit, Chris LaCivita, për të drejtuar fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e majit 2025, të cilat u fituan sërish nga socialistët e Edi Ramës. Ai madje paditi për shpifje ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Megjithatë, Berisha mbetet ende nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar dhe vazhdon të gjykohet në Shqipëri për akuza korrupsioni.
Gazetari dhe analisti politik Enton Abilekaj tha se zemërimi i protestuesve është i drejtuar kundër “gjithë klasës politike” që ka prodhuar një “tranzicion të pafund” pas komunizmit.
Sipas tij, qytetarët duan “largimin e të dyve” – Ramës dhe Berishës.
Happening now...
Attacks on Dumani and Berisha's silence on Ilir Shtufi
ideas
The Alliance of Seals and Towers, facing the New Republic
The beginning of the end of power in Albania...
The ridiculous coherence of the opposition!
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128