Bie konsumimi i ekstazisë në Europë, rritet përdorimi i ketaminës dhe kokainës

2026-03-18 18:42:16 / BOTA ALFA PRESS

Bie konsumimi i ekstazisë në Europë, rritet përdorimi i

Konsumi i MDMA-së (ecstasy) po bie në Europë, ndërsa përdorimi i ketaminës dhe kokainës po shënon rritje, sipas një studimi të kryer në bashkëpunim me Agjencinë Europiane për Droga (EUDA). Analiza u bazua në mostra të ujërave të zeza nga 115 qytete evropiane gjatë vitit 2025.

Studimi zbuloi se mbetjet e MDMA-së ranë rreth 16% krahasuar me vitin e kaluar, një rënie që mund të lidhet me uljen e përdorimit tek gjenerata e re. “Tek të rinjtë 15–24 vjeç, preferencat po shkojnë drejt ketaminës dhe katinoneve sintetike, dhe kjo mund të shpjegojë rënien e MDMA-së,” tha João Matias, analist shkencor në EUDA.

Nga ana tjetër, përdorimi i kokainës u rrit 22%, ndërsa niveli i ketaminës u rrit 41%, pjesërisht për shkak të rritjes së disponueshmërisë në tregun e paligjshëm dhe popullaritetit tek të rinjtë. “Ketamina është një nga drogërat më të preferuara nga të rinjtë, kryesisht për efektet që ofron,” shtoi Matias.

Studimi gjithashtu tregoi dallime të mëdha gjeografike: nivelet më të larta të MDMA-së u regjistruan në Belgjikë, Spanjë dhe Holandë, ndërsa ketamina është më e përdorur në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë. Kanabisi mbetet droga më e përhapur në Europë, me rreth 24 milion përdorues, ndërsa amfetamina dhe metamfetamina janë më të përhapura përkatësisht në Europën veriore dhe në Çeki e Sllovaki.

Analizat treguan gjithashtu se përdorimi i kokainës dhe MDMA-së rritet gjatë fundjavave, ndërsa përdorimi i kanabisit, amfetaminës dhe metamfetaminës mbetet më konstant gjatë javës.

Happening now...

ideas