And how could it be otherwise than re-electing Berisha as head of the DP?!

2026-03-18 11:04:47 / IDE NGA SIDI HASANAJ

And how could it be otherwise than re-electing Berisha as head of the DP?!

Që prej 9 shtatorit 2021, Sali Berisha artikuloi ndoshta formulimin më të qartë të raportit të tij me Partinë Demokratike:

“Unë po luftoj me SHBA dhe DASH një betejë për dinjitetin tim, dhe një parti që nuk mbron dinjitetin e individit nuk meriton të ekzistojë; le të zhduket nëse nuk e bën këtë betejë.” – ishte hyrja, ose prologu, i veprës së tij më dramatike ndaj të djathtës.

Në këtë fjali nuk qëndron vetëm një reagim politik ndaj një situate personale; ajo përmban gjithë konceptin e Berishës mbi natyrën e Partisë Demokratike: partia si zgjatim i tij, si pronë private dhe instrument i betejave të tij.

Më pas, brenda “librit” të tij të zi ndaj PD-së, ai realizoi një “vepër” që pasoi, e cila mund të lexohet si kalimi nga retorika në veprim:

8 janar 2022, dita kur Berisha sulmoi me shina treni, me koka dashi, me leva hekuri e hunj, i shoqëruar me vrasës me pagesë (dikush edhe i dënuar nga drejtësia), trafikantë droge të dënuar anembanë Europës, me përfaqësues të pasurimit kriminal si ato të lojërave të fatit dikur etj., dhe me një hordhi të verbërish e të eturish për pushtet, të mbushur me urrejtjen dhe përçmimin më të madh për selinë dhe logon e PD-së.

Nëse ajo seli nuk do të ishte pronë e Berishës, ajo ishte një ngrehinë që përçmohej dhe urrehej me gjithë shpirt nga ai, sepse do të ishte një godinë e lirë… e lirë nga ata që emëruan në 1991 në krye të saj Berishën– Ramiz Alia dhe establishmenti i atëhershëm komunist; e lirë nga njerëzit që ishin pasuruar dhe kishin bërë plaçkë falë pushtetit që Berisha ua kishte deleguar në krye të asaj logoje dhe godine; e lirë nga familja Berisha– një familje që ka përfituar një pasuri përrallore nga ajo logo dhe godinë; e lirë nga oligarkët e Shqipërisë që ishin pasuruar nga pushteti i Berishës; dhe e lirë nga çdo skelet në dollap që mund të jetë shkak për betejë mes Berishës dhe drejtësisë.

Ndaj, kur u largua atë ditë (8 janar) me leva hekuri në duar nga selia, nuk harroi t’i vendoste “vulën e tij” logos së PD-së, ku logos së madhe të PD-së në katin e parë iu mbivendos edhe shenja e organit gjenital mashkullor. Kjo ishte logoja që shihte Berisha te një PD, jo në pronësi të tij.

Pra, Sali Berisha instaloi përfundimisht një doktrinë politike bolshevike: Primati i liderit mbi strukturën.

Në këtë kuptim, zhvillimet që pasuan nuk përbënin një devijim nga norma e tij, por zbatim koherent të kësaj logjike.

Episode si ai i 8 janarit, shpesh të reduktuara në një përplasje fizike për kontrollin e selisë së PD-së, ishin në thelb një konflikt mbi lirinë dhe pavarësinë organizative:
A buron legjitimiteti i partisë nga procedura dhe institucioni, apo nga figura historike dhe mobilizimi personal që ai realizonte falë fuqisë ekonomike dhe lidhjeve shpesh kanunore që kishte krijuar falë pushtetit politik?

Të gjithë ata që i qëndruan në krah ishin të vendosur të zgjidhnin premisën e dytë: Donin diktatin e Berishës si burim i legjitimitetit të partisë. Çdo deputet dhe funksionar politik që i qëndroi ishte i qartë.

Të qartë ishin edhe militantët që e ndoqën Berishën pas, me një mburrje që mund ta gjesh vetëm në provinca të harruara të globit. Ata bërtisnin:

“Non grata ti, Doktor, non grata dhe ne”;
“Kimetja, Rama dhe Soros kanë kapur presidencën e SHBA dhe ne nuk thyhemi para një fuqie arrogante si SHBA, sepse ne demokratët e Kavajës, Memaliajt dhe Kurbinit jemi njerëz të lirë, jemi sovranë”.

Pasi në librin e tij të zi shkroi çdo ditë me qindra faqe kundër PD-së dhe selisë që nuk po e merrte dot, nga “Shtëpia e Lirisë”, nga shtëpia e një politikani që mishëron korrupsionin dhe imoralitetin njerëzor e politik si Ilir Meta, deklaroi në fushatën e zgjedhjeve vendore të 2023:

“Ju bëj thirrje demokratëve që të mos çojnë asnjë votë për logon e Partisë Demokratike, asnjë votë për kandidatët e saj në këshillat bashkiakë dhe bashkitë e vendit, por votoni kandidatët e mi dhe të Ilir Metës”.

Sali Berisha nuk mbajti rezerva në gjuhën e tij, por në këtë “libër të zi” ka shprehur qartë urrejtjen që ka për PD-në në rastet kur ajo nuk është plaçkë e tij, të cilën e sundon duke e poshtëruar me hijen e korrupsionit që ai i vendos sa herë është në krye të saj.

Kjo ishte faza e parë e veprës së tij dramatike, tragjedia e tij ndaj partisë që, në fakt, është krijuar nga ndjenjat dhe ëndrrat më të bukura të të djathtëve shqiptarë. Ishte partia ku qindra mijëra të djathtë investuan dashuri dhe kurajë për lirinë, frymën perëndimore, tregun e lirë dhe pronën private.

Pa dyshim që çdo akt makabër i kësaj vepre Berisha e bëri për “një arsye”: Të rrëzonte Edi Ramën. Aq sa e pavërtetë ishte kjo arsye, aq të bindur se nuk do fitonin dot kurrë ndaj Ramës ishin thuajse të gjithë ata që iu bashkuan Berishës.

E vërteta është që, përveç ndonjë idioti të veshur me mantel naiviteti, të gjithë e dinin se Ramën nuk do ta rrëzonin kurrë; e dinin se në çfarë grope thithëse, plot korrupsion, lidhje me krimin dhe urrejtje për shtetin e së drejtës po i bashkoheshin.

Nuk u interesonte të bënin aktin e duhur, atë që mbart moral dhe virtyte në momentin e duhur, por secili pa interesat e ngushta ekonomiko-politike të tij, duke pirë një “kokërr qetësuese” për ndërgjegjen e tyre: “politika nuk ka moral, nuk fitohet me skrupuj, por me pushtet dhe vota”.

Më pas, kjo vepër e zezë, e shkruar me urrejtjen më të madhe nga Berisha, padyshim që nuk kishte si të mos prodhonte rezultate tragjike.

Berisha, pas marrjes së shumicës së PD-së, (de facto e më pas ligjërisht), ka humbur çdo bashki të Shqipërisë; humbi turpërisht Shkodrën, Kukësin, Tropojën dhe çdo bastion të demokratëve. Në shumë bashki arriti të marrë vetëm 1/5 e votave që kishte marrë në zgjedhjet vendore të 2017, si në Kukës në përsëritjen e zgjedhjeve pas skandalit Gjici. Humb çdo bashki që rrëzohej pasi i arrestohej kryetari nga SPAK, dhe në fund humbi dramatikisht zgjedhjet e 11 majit 2025.

Zgjedhje që Berisha i konteston më kot; tashmë janë njohur nga SHBA dhe BE, përderisa ata njohin si kryeministër dhe partner Ramën.

Dhe e vërteta është që PS në zgjedhjet e 2025 mori më pak vota se në 2021 apo në 2017 e 2013, por fitoi bindshëm me 81 deputetë, sepse PD me në krye Berishën arriti një rekord tragjik historik refuzimi nga demokratët.

Por e vërteta tjetër është se të gjithë i dinim këto rezultate. S’ka vend për hipokrizi.

Ndaj, mbi këtë fakt, sot përgjigjja e Berishës ndaj pyetjes së një gazetari nëse do të kandidonte përsëri në krye të PD-së ishte më e sinqerta:

“Eh, si mund të mendosh të kundërtën?”

Sepse kush mendon se Berisha e shkroi këtë vepër të zezë ndaj PD-së në 2021–2025 për ta dorëzuar partinë më pas, është naiv në nivele patetike.

Sot Soros ka rënë, Kim ka dalë në pension, Donald Trump është në krye të SHBA-ve, por Berisha është njësoj i izoluar nga SHBA si “non grata” për korrupsion masiv dhe minimin e demokracisë.

Sot Edi Rama po bën luftë hapur ndaj drejtësisë, por përsëri Berisha nuk është kontrast apo alternativë e tij, por e godet edhe më fort drejtësinë se Rama, me gojën e mbushur edhe më shumë me helm se “hiena e korrupsionit” Rama.

Nuk merren armët dhe mobilizohet e gjithë oligarkia dhe bota e nëndheshme e krimit për të pushtuar partinë, që më pas ta dorëzosh përmes proceseve demokratike… këtë vetëm naivët apo “idiotët e dobishëm” e mendojnë.

Berisha, si çdo “mbret”, do të vdesë mbi atë fron dhe do t’ua trashëgojë fëmijëve drejtimin e saj.

Dhe, megjithëse shumë e zbehtë dhe e largët, shpresa e vetme mbetet marrja e vulës dhe legjitimitetit të partisë, por kjo duket një vegim i largët.

Ndërkohë, Rama po i bën çdo të keqe të mundshme Shqipërisë, sa që kushdo nga ne që kemi bërë betejë me Berishën është në një torturë psikologjike: sepse mos të fokusohesh te rrëzimi i Ramës është mëkat nga njëra anë, e nga ana tjetër t’i dorëzosh PD-në Berishës është krim ndaj të djathtëve.

Happening now...

ideas