Në vitin 2025 shitëm më pak se gjysmën e asaj që blemë/ Tregtia e jashtme, deficiti tregtar arriti vlerën 541 mld lekë

Viti 2025 është mbyllur me një ecuri problematike të tregtisë së jashtme shqiptare, ku rënia e eksporteve dhe zgjerimi i deficitit tregtar duket të jenë problemet kryesore. Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria vazhdon të shesë pak dhe të blejë shumë.
Gjatë vitit 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 346 miliardë lekë, duke u ulur me 6.1% krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, importet arritën në 887 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.8% në vlerë. Në pamje të parë, kjo mund të krijojë idenë e një stabilizimi, por analiza në volum, pra në peshë, tregon një anë tjetër.
Në terma sasiorë, importet në vitin 2025 janë rritur me 6.2% në volum, ndërsa eksportet kanë rënë me 3.7%. Kjo do të thotë se Shqipëria ka importuar më shumë mallra fizikisht, por me çmime mesatare më të ulëta, ndërsa ka eksportuar më pak mallra, si në vlerë ashtu edhe në peshë.
Rënia e eksporteve është ndikuar kryesisht nga sektorët tradicionalë. Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë dhënë goditjen më të fortë, duke qenë kontribuesi kryesor negativ në ecurinë vjetore. Po ashtu, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike kanë shënuar rënie, duke reflektuar si luhatjet e çmimeve ndërkombëtare, ashtu edhe kufijtë e kapaciteteve prodhuese vendase. Rritjet e lehta në ushqime, pije, duhan dhe në makineri e pajisje nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndryshuar trendin negativ.
Nga ana tjetër, struktura e importeve tregon se ekonomia shqiptare mbetet e varur nga jashtë. Rritja e importeve në volum lidhet kryesisht me mallra konsumi, ushqime dhe energji, çka nënkupton se prodhimi vendas nuk po arrin të zëvendësojë kërkesën e brendshme.
Si pasojë e kësaj ecurie, deficiti tregtar në vitin 2025 arriti në 541 miliardë lekë, me një rritje prej 3.0% krahasuar me vitin 2024. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ka zbritur në rreth 39%.
Në aspektin gjeografik, Italia mbetet partneri kryesor tregtar, por eksportet drejt saj kanë rënë ndjeshëm gjatë vitit 2025. Rënie janë shënuar edhe drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke sinjalizuar dobësim të tregjeve tradicionale. Ndërkohë, importet nga Kina janë rritur ndjeshëm, duke e forcuar rolin e saj si furnizues kryesor i mallrave industriale dhe të konsumit./SCAN
Po ndodh...
ide
U katandis lideri historik në një breshkë që ndjek nga pas Salianjin!
Kryeministrat dhe Televizioni Publik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
