“Nuk e di sa gjatë do të jem këtu”/ Trump mes frikës, moshës dhe testeve mjekësore

Mes kontrolleve të shpeshta mjekësore, kërcënimeve për jetën dhe dyshimeve për gjendjen mendore, vetë Trump po flet gjithnjë e më shpesh për moshën dhe vdekshmërinë e tij.
Shëndeti i Donald Trump është rikthyer sërish në qendër të debatit politik dhe mediatik në SHBA, pasi presidenti amerikan iu nënshtrua një tjetër serie kontrollesh mjekësore në Walter Reed National Military Medical Center, spitali ushtarak më i rëndësishëm i vendit.
Vizita, që sipas Shtëpisë së Bardhë përfshinte teste rutinë mjekësore dhe dentare, ishte kontrolli i katërt i bërë publik në pak më shumë se një vit, që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Presidenti 79-vjeçar u largua nga spitali duke deklaruar se gjithçka kishte rezultuar “PERFECTLY”, por kontrolli i fundit nuk ka arritur të shuajë dyshimet që prej muajsh po shtohen në SHBA mbi gjendjen e tij fizike dhe mendore.
Në SHBA nuk ekziston një ligj që i detyron presidentët të publikojnë kartelat e tyre mjekësore dhe çdo informacion mbi shëndetin e tyre bëhet publik vetëm me miratimin e vetë presidentit. Për këtë arsye, raportet mjekësore të publikuara nga Shtëpia e Bardhë shihen shpesh me skepticizëm, sidomos pas rasteve në historinë amerikane kur presidentë të ndryshëm kanë fshehur probleme serioze shëndetësore.
Trump dhe stafi i tij vazhdojnë ta paraqesin presidentin si një lider me energji të pakufishme dhe kthjelltësi të plotë mendore. Ndihmësit e tij kujdesen vazhdimisht të theksojnë oraret e gjata të punës së presidentit, ndërsa vetë Trump vazhdon të tallet me Joe Biden duke e quajtur “Sleepy Joe”.
Megjithatë, muajt e fundit janë shtuar diskutimet mbi shenjat e dukshme të moshës së presidentit amerikan.
Trump është filmuar disa herë me sy të mbyllur gjatë eventeve publike, ndërsa në duar i janë vënë re mavijosje që ai përpiqet t’i mbulojë me grim. Administrata amerikane ka shpjeguar se mavijosjet lidhen me përdorimin e aspirinës dhe me shtrëngimet e shumta të duarve, ndërsa ënjtja në këmbë është lidhur me insuficiencë kronike venoze, një problem i zakonshëm në moshë të avancuar.
Vetë presidenti refuzon të pranojë çdo ide dobësie fizike. “Unë nuk jam i moshuar. Jam shumë më i ri se ju”, deklaroi ai këtë muaj gjatë një aktiviteti në Florida.
Por edhe vetë Trump ka nisur të flasë më shpesh për moshën dhe vdekshmërinë e tij.
“Nuk e di sa gjatë do të jem ende këtu. Kam shumë njerëz që më duan të vdekur”, tha ai gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë vit.
Tentativat për atentat ndaj tij dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Irani duket se e kanë bërë presidentin më të vetëdijshëm për rrezikun ndaj jetës së tij.
Muajin e kaluar, gjatë një takimi me Mbretin Charles III, Trump iu drejtua bashkëshortes së tij Melania duke thënë: “Ne nuk do ta arrijmë dot rekordin e martesës së prindërve të mi. Nuk ka për të ndodhur.”
Debati mbi shëndetin e presidentit amerikan është zgjeruar edhe për shkak të dietës dhe stilit të jetesës së tij.
Ministri amerikan i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. deklaroi këtë vit se nuk e kuptonte “si Trump është ende gjallë”, duke iu referuar konsumit të vazhdueshëm të McDonald’s, ëmbëlsirave dhe Diet Coke.
Por tema më e ndjeshme mbetet gjendja mendore e presidentit.
Gjatë mandatit të tij të dytë, fjalimet e Trump shpesh kalojnë nga një temë në tjetrën pa lidhje me aktivitetin ku ndodhet. Vetë presidenti e quan këtë mënyrë të të folurit “weave”, por kritikët e tij pyesin gjithnjë e më shpesh nëse ai ruan ende kthjelltësinë e plotë mendore.
Trump ka deklaruar disa herë se i ka kaluar me sukses testet njohëse që mjekët i kanë zhvilluar, por së fundmi la të kuptohet se nuk dëshiron t’i bëjë më.
“Mendoj se kam mbaruar me ato teste. Jam lodhur duke i bërë”, tha ai gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë./CNN
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128