E gjithë bota sytë nga Alaska! Të buzëqeshur i afrohen njëri-tjetrit, Trump dhe Putin shtrëngojnë duart në Anchorage

15 Gusht 2025, 21:19 / BOTA ALFA PRESS
E gjithë bota sytë nga Alaska! Të buzëqeshur i afrohen

Sytë e gjithë botës janë kthyer nga Alaska, aty ku liderët e dy fuqive të mëdha ulen sot përballë njëri-tjetrit për të arritur një marrëveshje për luftën në Ukrainë.

Tapeti i kuq u shtrua mes avionëve ushtarakë. I pari që zbriti në tokën e Alaskës ishte presidenti amerikan, Donald Trump, gati 30 minuta më pas presidenti rus mbërriti presidenti rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar pamjet e para nga salla, ku do të mbahet konferenca për shtyp pas takimit. Në një shkrim në sfond, duket qartë mesazhi “Në kërkim të paqes”.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Trump do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i Dërguari i Posaçëm, Steve Witkoff.

Në drekën dypalëshe që do të pasojë, do të marrin pjesë gjithashtu Rubio, Witkoff, Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe shefja e kabinetit Susie Wiles.

20:49 – Trump përshëndet politikanët e Alaskës në Air Force One ndërsa pret mbërritjen e Putinit

Presidenti Donald Trump ndodhet ende në bord të Air Force One ndërsa pritet mbërritja e Presidentit Vladimir Putin në Alaska. Teksa pret në avion, ai po përshëndet senatorët e Alaskës, Lisa Murkowski dhe Dan Sullivan, si dhe guvernatorin e shtetit, Mike Dunleavy, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Trump ka një marrëdhënie disi të tensionuar veçanërisht me Murkowskin, e cila shpesh kundërshton prioritetet e tij në Senat.

20:46 – Një ‘frymë’ larg takimit në Alaskë mes Trump e Putinit, disa persona protestojnë me flamujt e Ukrainës

Protesta në mbështetje të Ukrainës kanë ndodhur në prag të takimit shumë të pritur midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Anchorage të Alaskës, ku ata pritet të diskutojnë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Çfarë pritet nga takimi historik?

Në një reagim nga Kremlini pak para takimit, u tha se bisedimet mes Presidentit amerikan dhe atij rus do të zgjasin me orë të tëra. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, bisedimet Trump-Putin mund të zgjasin deri në shtatë orë. Sipas tij, Trump do e presë Putin në shkallët e avionit, kur ky i fundi të mbërrijë në Alaskë.

Rrugës për në Anchorage, Presidenti Putin vizitoi Magadanin, një qytet port në Detin e Okhotsk. Ai u ndal te një fabrikë e përpunimit të vajit të peshkut, si dhe zhvilloi një takim me zyrtarët vendas.

Më herët gjatë ditës, Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh i bindur se homologu rus nuk do të bëjë lojëra në takimin e tyre të parë kokë më kokë në 6 vjet.

“Nëse nuk do të isha president, Putini do të kishte preferuar të merrte shumë të më tepër, do të synonte kontrollin e të gjithë Ukrainës. Por unë jam president dhe ai nuk do të bëjë lojëra me mua”.

Republikani shtoi më tej me të njëjtën vetëbesim se do të arrijë ta kuptojë që në minutat e para nëse ky do të jetë një takim i mirë. Në të kundërt, u shpreh Trump, “ka për të përfunduar shumë shpejt”.

Trump duket nuk e përjashton mundësinë që takimi me shefin e Kremlinit të mbyllet pa ndonjë rezultat. Ai i mëshon idesë se kjo përballje është kryesisht përgatitje për një takim të dytë me Putinin dhe Zelenskin, që mund të zhvillohet gjithashtu në Alaskë dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Po ashtu, Trump tha se takimin e dytë mund të marrin pjesë edhe disa udhëheqës europianë.

Po ndodh...