Vrasja e Fatbardh Licit, mbyllen hetimet për 4 të pandehurit

25 Nëntor 2025, 20:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vrasja e Fatbardh Licit, mbyllen hetimet për 4 të pandehurit

SPAK ka mbyllur hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).Të pandehurit për të cilët kërkohet nisja e gjykimit janë Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago.

Fatbardh Lici u vra rreth shtatë vite më parë dhe dyshohet se ishte viktimë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër. Konflikti mes grupeve ka nisur që prej atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Kulla në janar të vitit 2018 dhe ka vijuar me një seri vrasjesh dhe zhdukje personash në Shkodër.

Safet Bajri, më parë i ndaluar gjatë operacionit “Oaz” dhe i dënuar në Belgjikë, është arrestuar më 21 shkurt 2025. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për “Vrasje me paramendim”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale të strukturuara.

Motivi i vrasjes së Fatbardh Licit dyshohet të lidhet me hakmarrjen ndaj Ibrahim Licit, i cili ishte fajësuar nga Behar Bajri për vrasjen e ish-efektivit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silva Ndoci.

Saga e dhunës mes fiseve në Shkodër ka përfshirë një seri vrasjesh të tjera, duke prekur jo vetëm anëtarë të grupeve rivale, por edhe civilë dhe familjarë, duke lënë pas një histori të gjatë hakmarrjesh dhe dhune.

 

Po ndodh...