Ndoti lumin në Francë, arrestohet shqiptari

13 Maj 2026, 17:45 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ndoti lumin në Francë, arrestohet shqiptari

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Francë pasi dyshohet se ndoti qëllimisht një degë lumi, duke derdhur rreth 1 mijë litra përzierje toksike.

Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 18:30, kur i dyshuari, një shqiptar rreth të tridhjetave që punonte në një kantier pranë zonës, u kap duke zbrazur një depozitë nga kamioni në një degë të lumit Drome. Sipas mediave franceze, në depozitë ndodheshin hidrokarbure dhe produkte kimike kundër mykut për çati.

Alarmi u dha nga një dëshmitar okular, çka bëri të mundur ndërhyrjen e menjëhershme të xhandarmërisë dhe zjarrfikësve. Në operacion u angazhuan 17 zjarrfikës nga katër qendra shpëtimi, të cilët vendosën barriera thithëse për të izoluar ndotjen në ujë.

Për shkak të incidentit, autoritetet lokale mbyllën menjëherë një stacion pompimi të ujit të pijshëm, i cili ishte inauguruar vetëm 15 ditë më parë. Kryebashkiaku i zonës, Guillaume Dujardin, deklaroi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të mbrojtur rrjetin e furnizimit me ujë dhe faunën ujore të zonës.

Sipas tij, shqiptari nuk kishte të drejtë të drejtonte automjet në territorin francez dhe ishte shfaqur i habitur nga pasojat që kishte shkaktuar ndotja.

Megjithëse furnizimi me ujë nuk u ndërpre, stacioni do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë. Prokuroria franceze ka nisur procedurat ndaj shqiptarit, i cili pritet të dalë para drejtësisë për veprën penale të ndotjes së mjedisit.

Po ndodh...

ide