Shqipëria, kjo anije e ngecur në zejen e vjedhjes!

8 Maj 2026, 15:12 / IDE NGA EDISON YPI
Shqipëria, kjo anije e ngecur në zejen e vjedhjes!

E vetmja zeje që Shqipëria, kjo anije e ngecur, e ushtron pa u mërzitur, e vetmja shkencë që nuk e lodh, e vetmja punë që e kryen me cilësi, e vetmja detyrë që e plotëson pa i bërë naze, është vjedhja.

S'ka muhabet tjetër lundërtari i anijes së ngecur veç për vjedhjet e të tjerëve për të fshehur vjedhjen e vet.

Aq gjatë e gjërë flasin mes vedi për vjedhjen dhe variacionet e vjedhjeve, sa duket sikur në çastin që pasagjerët dhe ekuipazhi i anijes së ngecur do ndalin së llafosuri për vjedhje, do vdesin.

Nuk qan dot një hall, as nuk ndan dot një dert, se në anijen e ngecur atypëraty biseda me tjetrin hyn e humbet nëpër labirinte vjedhjesh, gjiriza dallaveresh, katakomba xhvatjesh.

Duke folur për vjedhje dhe hajdutllëk, në anijen e ngecur shpenzojnë kohë më tepër se për të gjitha veprimtaritë e tjera së bashku.

Punën e porsa kryer, librin e porsa lexuar, filmin e porsa parë, mikun e porsanjohur, biznesin e saponisur, në anijen e ngecur kurrë nuk harrojnë ta lidhin me vjedhjen, hajdutllëkun, kusarinë, hajninë.

Në të kundërt me pasojat e çdo sjellje degjenerative që herët a vonë çon në kalbje dhe shembje, muhabetet me vjedhje udhëtarin e anijes së ngecur e ftillojnë, e freskojnë, e rinojnë, e bëjnë më të qartë në spjegime, artikulime.

Vend nderi në piedestalin e llafazanëve që flasin vetëm për vjedhje labirintike mahnitëse nga më absurdet, më të çuditshmet, më të larmishmet, më grotesket, janë të papërtuarit telefonues mengjezorë nëpër televisionet e anijes së ngecur.

Ama vendin e parë plotësisht të merituar për muhabete me vjedhje, akuza të ndërsjellta për vjedhje, e mban sigurisht Parlamenti i anijes së ngecur. Se, veç vjedhjes, në botë ka edhe punë, lodhje, sakrifica, histori, gjeografi, kulturë, art, shkollim, hiç nuk dun me dit ata dreqër, kapitenët e anijes së ngecur.

Zor se gjen një pasagjer të vetëm të anijes së ngecur të tregojë qartë dhe saktë një adresë pa u bërë lëmsh që në fjalët e para. Ama hapu një muhabet me vjedhje, befas ndizen. Bëhen hezberë, çlirohen, marrin frymë, bëhen bilbill gjyzarë.

Ta akuzosh tjetrin se vjedh për të qënë i justifikuar së brendëshmi për të vjedhur vetë, është sporti më i dashur për banorin e anijes së ngecur, shqiptarin e sotëm.

Zor se gjen dy pasagjerë të anijes së ngecur që rrahin ndonjë temë tjetër veç vjedhjes. Në kafene, në autobuz, te oborri, te marketi, te farmacia, te buka, te bulmeti, duke pritur autobuzin, dhe gjithkund tjetër, po pe dy të ngecur që po llafosen, njëra nga të dyja: po flasin për hajdutllëqe, ose po vjedhin njëritjetrin.

Fillimin e një bisede me shtegëtarin e anijes së ngecur mund ta zgjedhësh vetë, mund ta ndërtosh si të duash, por nga minuta e tretë e në vazhdim, mbath çizmet, vendos skafandrën, me dashje-pa dashje je zhytur në një moçal me vjedhje.

Mos u bëj merak se vjedhja jote mund të mbetet e pa thashethemnuar. Në anijen e ngecur, për vjedhjejn tënde nuk harron të llomotisi kurrë një tjetër, i dyti me një të tretë, të katërt, të pestë, e me rradhë, derisa në anijen e ngecur të mos ketë mbetur asnjë i fundosur pa u njoftuar për hajdutllëkun tënd të vërtetë apo të fantazuar.

Mediat, portalet s'janë asgjë tjetër përpos panaire hajnash, pellgje vjedhjesh, mbi anijen e ngecur.

Televizionet, banaqet, showt, në anijen e ngecur, paradë hajdutësh që me shtëllunga fjalësh bëjnë alibinë e vetes.

Në anijen e ngecur vidhet edhe atje ku është bosh, ku s'ka asgjë për asnjë, po ashtu edhe ku është plot, ku ka gjithçka për të gjithë. Edhe kot. Pa asnjë shkak. Vidh të vjedhim në anijen e ngecur.

Anija e ngecur gumëzhit nga vjedhjet dhe xhvatjet si koshere grenxash.

Karvanarët e llocur të anijes së ngecur janë kleptokratë të pashërueshëm që nuk dinë as nuk duan të punojnë. Dinë vetëm të vjedhin vetë duke u llafosur për vjedhjen e tjetrit.

Vjedhja në anijen e ngecur nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, e rastësishme, aksidentale. Është e kudondodhur, e përjetëshme, e pavdekëshme, e përsosur, integrale, totale.

Vjedhja ndër lundruesit e papërtuar të anijes së ngecur është e vetmja punë që kryhet me qef, buzagaz, duke fërshëllyer, me cilësinë e duhur, në kohën e duhur, vendin e duhur.

Banorit të baltosur të anijes së ngecur po ja fale, nuk e do, e refuzon, e quan harram. Hallall e quan vetëm kur ta vjedh.

Zoti e di si mundet me dal anija e ngecur nga oqeani i vjedhjeve, me vela të grisura, pa busull, në këtë natë pa yje.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 16:37 EDITORIAL

Sali Llapa

Nga Bato Kosova