Merret vendimi: Dënohet 30 vite burg Agron Tufa

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi bazën e materialit referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2018, i cili lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 07.07.2018, ku shtetasi me iniciale S. H në Komisariatin e Policisë Laç ka bërë kallëzim për zhdukjen e djalit të tij me iniciale K. H.
Pas marrjes në pyetje të shtetasit me iniciale H. R, ky i fundit ka deklaruar se ai së bashku me shtetasin A. T e kishin vrarë dhe groposur pranë varrezave të lagjes shtetasin me iniciale K. H.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:
të pandehurit me iniciale Agron Tufa (në mungesë), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 76-25, 278/1-25 dhe 303-25 të Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr. 99, datë 17.06.2021, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit A.T për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 20 (njëzet) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 278/1 -25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “fshehja ose asgjësimi i kufomës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 303-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve për të pandehurin A. T, duke u dënuar me një vendim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin A. T të kryehet në një burg të sigurisë së lartë.
Më datën 06.01.2024, nga Autoritetet Italiane është bërë i mundur arrestimi i të pandehurit me iniciale A.T me qëllim ekstradimin e tij nga Roma në Shqipëri; ekstradim ky, i cili është kryer në datë 13.09.2024.
Mbi kërkesën me objekt: “Rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë” të paraqitur nga ana e përfaqësuesit ligjor të të dënuarit me iniciale A.T , Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1244, datë 10.12.2024 ka vendosur:
“Rivendosjen e të dënuarit A.T në afat për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kundër vendimit nr 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë…”
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga i pandehuri me iniciale A. T, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me një tjetër trup gjykues.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 25.02.2025 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

