Fenerbahçe reagon pas braktisjes së finales së Superkupës: Rebelim ndaj padrejtësive

8 Prill 2024, 16:51 / SPORT ALFA PRESS

Fenerbahçe reagon pas braktisjes së finales së Superkupës:
Ka hyrë në nje kaos të vërtetë ambienti futbollistik në Turqi. Zanafilla e gjithë kësaj rrëmuje vjen nga ndeshja Trabzonspor-Fenerbahce.

Tifozët vendas pas ndeshjes sulmuan fizikisht lojtarët, me këta të fundit që reaguan po me të njëjtën monedhë.

Fill pas kësaj, do të vinte finalja e Superkupës me Galatasaray dhe Fenerbahce, por këta të fundit iu drejtuan federatës së futbollit me kërkesën për shtyrjen e ndeshjes, për shkak se Fenerbahce është e angazhuar në kupat e Europës, ku do të përballen ndaj Olympiacos në Conference League.
Mirëpo, kjo kërkesë u refuzua dhe si të mos mjaftonte kjo, federata turke nuk mori në konsideratë edhe kërkesën tjetër të klubit të Fenerbahce që ndeshja e Superkupës të gjykohet nga arbitër i huaj.

Presidenti Ali Koc paralajmëroi se në sfidën ndaj Galatasaray, skuadra e tij do të zbriste në fushë me ekipin u-19. Pikërisht kjo ndodhi në mbrëmjen e së dielës. Fenerbahce del në përballje me futbollistët e rinj të moshave.

Menjëherë sapo nis dueli, Galatasaray shënoi me Mauro Icardin, por pas festës, skuadra e Fenerbahce u tërhoq nga fusha e lojës në shenjë revolte.

Pas kësaj situate, Galatasaray zyrtarizoi titullin në rrjetet sociale dhe madje për të argëtuar tifozët, zhvilluan një ndeshje stërvitore me lojtarët e stolit.

Mesditën e së hënës, klubi i Fenerbahce doli në një deklaratë zyrtare, në lidhje me skenën që u pa në finalen e supërkupës:

“Klubi mori këtë vendim për shkak të parimeve dhe vlerave në të cilat beson dhe sepse kemi arritur në pikën e rebelimit ndaj padrejtësive që kemi pësuar.

Si klubi më i madh sportiv, ne do të vazhdojmë të rezistojmë sot dhe në të ardhmen ashtu siç bëmë të dielën”-mbylli deklaratën zyrtare Fenerbahce.

 

Po ndodh...