Atalanta nuk pret më gjatë, shkarkon trajnerin Juric, e zëvendëson Raffaele Palladino

10 Nëntor 2025, 17:42 / SPORT ALFA PRESS

Atalanta nuk pret më gjatë, shkarkon trajnerin Juric, e

Lëvizje e madhe në pankinën e Atalantës. Pas humbjes së rëndë ndaj Sassuolos, drejtuesit e klubit nga Bergamo kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me Ivan Juric dhe t’ia besojnë skuadrën Raffaele Palladino-s, ish-trajner i Fiorentinës.

Pavarësisht fitores në Ligën e Kampionëve ndaj Marseille-s, rezultatet në kampionat nuk kanë bindur, ndaj klubi ka reaguar menjëherë.

Palladino ka firmosur kontratën me bergamaskët dhe tashmë pritet vetëm komunikata zyrtare për emërimin e tij.

Pas refuzimit për t’u rikthyer te Fiorentina në vend të Pioli-t, 41-vjeçari Palladino është gati të marrë drejtimin e “Zonjës së Vogël”, duke ruajtur në thelb strukturën taktike të ndërtuar prej Gasperini-t, por me idetë e tij për zhvillimin e mëtejshëm të skuadrës.

Në stafin e tij pritet të jenë Stefano Citterio si zëvendëstrajner dhe Federico Peluso, ish-lojtar i Atalantës.

Ndërkohë, Thiago Motta nuk ka qenë kurrë një opsion real për pankinën e Atalantës, edhe pse një kalim i mundshëm i tij do ta kishte lehtësuar financiarisht Juventusin, që ende i paguan pagën pas shkarkimit.

Për Juric, ky është shkarkimi i tretë brenda një viti. Më 10 nëntor 2024 u largua nga Roma pas 12 ndeshjesh (4 fitore, 5 humbje, 2 barazime).

Në dhjetor u emërua te Southampton-i, por qëndroi vetëm 16 ndeshje (2 fitore, 1 barazim, 13 humbje), para se të largohej në prill 2025.

Me Atalantën, bilanci i tij përfshinte 15 ndeshje, 4 fitore, 8 barazime dhe 3 humbje.

Pas disfatës ndaj Sassuolos, Juric deklaroi: “Përgjegjësia është gjithmonë e trajnerit.

Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen time, por e pranoj se nuk ishim në nivelin e duhur.” Vetëm pak orë më vonë, klubi vendosi t’i japë fund aventurës së tij në Bergamo.

 

Po ndodh...

ide