Al Nassr premton ‘luftë’ për rinovimin me Cristiano Ronaldon

29 Maj 2025, 17:41 / SPORT ALFA PRESS

Al Nassr premton ‘luftë’ për rinovimin me Cristiano

Cristiano Ronaldo është edhe një herë në qendër të vëmendjes, teksa kontrata e tij me Al Nassr po shkon drejt fundit.

Sulmuesi portugez, që ka lënë gjurmë të thella në futbollin saudit, ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.

Por drejtuesit e klubit duket se janë të vendosur ta mbajnë ‘yllin’ më të madh të skuadrës.

Fernando Hierro, drejtori sportiv i Al Nassr, foli në një konferencë për shtypin ditën e enjte, ku theksoi se klubi po punon fort për të arritur një marrëveshje të re me Ronaldon.

“Cristiano... duhet të nisemi nga fillimi. Ajo që ai ka përfaqësuar për këtë ligë, për vendin, për futbollin dhe për imazhin ndërkombëtar të Arabisë Saudite, është dhe mbetet një fenomen i vërtetë”, u shpreh Hierro.

Ai theksoi gjithashtu guximin e Ronaldos për të ardhur në një kampionat të ri dhe për ta promovuar atë në nivel global: “Ai pati kurajën të vinte këtu dhe të prezantonte këtë ligë para gjithë botës.

Pas tij, shumë lojtarë të nivelit të lartë erdhën. Ai hapi shumë dyer.”

Lidhur me çështjen e rinovimit, Hierro konfirmoi se bisedimet janë në rrugë të mbarë, por ende pa një marrëveshje përfundimtare: “Drejtuesit e klubit po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

Cristiano është aktualisht i përqendruar te Kombëtarja e tij.

Ai ka kontratë deri më 30 qershor dhe shpresojmë që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Po bëhet një përpjekje e madhe që ai të vazhdojë me ne.”

Në fund, Hierro bëri edhe një batutë për të ardhmen e CR7, duke u ndalur te spekulimet për një kalim të mundshëm te një klub pjesëmarrës në Botërorin e Klubeve: “Për momentin, ka kontratë deri më 30 qershor.

Sa ekipe e duan për Botërorin e Klubeve? 30? Ne nuk dimë asgjë për këto…”

Me kontratën që skadon pas pak javësh, e ardhmja e Ronaldos mbetet e paqartë.

A do të zgjasë aventura e tij në Arabinë Saudite, apo po afron fundi i një tjetër kapitulli të lavdishëm në karrierën e tij? Së shpejti do të mësojmë përgjigjen.

 

Po ndodh...