Roveri i NASA-s zbulon gjurmë të mundshme të jetës së lashtë mikrobike në Mars
Roveri Perseverance i NASA-s ka bërë një zbulim të rëndësishëm në Mars, duke identifikuar molekula organike të karbonit në shkëmbinj të formuar në një shtrat lumi që mbante ujë miliarda vite më parë.
Matjet u kryen nga instrumenti SHERLOC, i cili zbuloi karbon organik në shkëmbinjtë argjilorë ndërsa roveri po eksploronte Luginën Neretva, një lumë i lashtë që dikur derdhej në kraterin Jezero.
Shkencëtarët shpjegojnë se forma e karbonit të zbuluar, e njohur si karbon makromolekular (MMC), mund të ketë origjinë biologjike, por mund të jetë krijuar edhe nga procese natyrore gjeologjike. Për këtë arsye, zbulimi nuk përbën ende provë se në Mars ka ekzistuar jetë.
Dr. Ashley Murphy nga Instituti i Shkencave Planetare në Arizona shpjegoi se ky lloj karboni mund të vijë nga materiale organike të fosilizuara, por edhe të krijohet nga reaksionet kimike midis shkëmbinjve dhe ujit ose të transportohet nga meteoritët që godasin planetin.
Në studimin e publikuar në revistën Science Advances, studiuesit përshkruajnë se si përdorën lazerin ultravjollcë të instrumentit SHERLOC për të analizuar shkëmbinjtë dhe për të identifikuar përbërjet komplekse të karbonit.
Një nga mostrat më interesante u mor nga shkëmbi Cheyava Falls, ku u gjet karbon makromolekular në sipërfaqe. Sipas studiuesve, kjo mund të nënkuptojë se materiali është ekspozuar së fundmi në sipërfaqen marsiane ose se ka rezistuar ndaj rrezatimit dhe proceseve oksiduese që zakonisht shkatërrojnë substancat organike në Mars.
Ky zbulim është veçanërisht i rëndësishëm sepse konfirmon praninë e lëndëve organike në shkëmbinj argjilorë në dy zona të ndryshme të planetit. Më parë, edhe roveri Curiosity, që eksploron kraterin Gale, kishte zbuluar përbërje të ngjashme.
Sipas autorëve të studimit, kjo sugjeron se kushtet e favorshme për banueshmëri dhe prania e lëndëve organike mund të kenë qenë të përhapura në shumë pjesë të Marsit miliarda vite më parë.
Megjithatë, roverët aktualë të NASA-s nuk kanë pajisjet e nevojshme për të përcaktuar nëse këto molekula janë krijuar nga mikroorganizma të lashtë apo nga procese gjeologjike. Për këtë nevojiten analiza laboratorike në Tokë.
NASA kishte planifikuar të kthente në Tokë mostrat e mbledhura nga Perseverance, por projekti u anulua në janar. Agjencia po punon për një mision të ri, që synon rikthimin e mostrave në vitet 2030. Ndërkohë, Kina ka njoftuar se synon të sjellë mostrat e saj nga Marsi në vitin 2031.
Po ndodh...
Protesta si "Arka e Noes" për PD, por Berisha duhet të zbresë...
ide
Protesta si bekim: Fitorja e madhe që shumë ende nuk e shohin
S'ka më “E Keqja më e Vogël”
Pse protesta rrezikon “Trekëndëshin e Bermudës” dhe partitë e reja?!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128