“PS po shkon drejt fundit, po e gërryen korrupsioni”, ish-ministri sulmon Ramën: Partia e kryetarit, jo e anëtarëve! Qeveri tranzitore

Ish-ministri socialist, Arben Malaj, ka një qasje kritike dhe njëkohësisht alternative ndaj zhvillimeve politike aktuale në vend, me fokus të veçantë te situata brenda PSsë dhe ambicia e tij për të kandiduar në Bashkinë e Vlorës.
Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, me tone të forta, Malaj ngre alarmin për një parti që, sipas tij, ka humbur identitetin demokratik, është zhytur në korrupsion dhe është kthyer në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe nuk ekziston më. Duke vënë në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin. Nga çështja “Balluku”, tek apatia qytetare dhe mungesa e protestave, ai flet për një panoramë të errët të realitetit politik, ndaj sipas tij, një qeveri tranzitore, por jo e partive politike mund të kthejë besimin e shqiptarëve te vota e lirë. Paralelisht, ai paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste?
PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit, në një parti të anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si një forcë politike demokratike dhe qeveritë e saj do të jenë përherë e më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht.
A ka sot PS-ja hapësirë për mendim ndryshe apo dominon një model i centralizuar vendimmarrjeje?
Fatkeqësisht jo. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit të lirë janë shkelur rëndë që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu edhe një model referues pozitiv dhe inspirues, për të cilin ka nevojë ambienti shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe vëllazëria siameze e Ramës me Berishësn.
PS shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale me një faturë të madhe mbi supe, atë të korrupsionit qeveritar. Sipas jush, sa do ta dëmtojë atë në zgjedhje?
Po, shembulli konkret është Vlora, ku pjesëmarrja në votime si për zgjedhjet parlamentare, edhe për bashkinë është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, përveç faktit se sa shumë është rritur zhgënjimi dhe mosbesimi tek ‘Rilindja’.
Si e shpjegoni mbështetjen e vazhdueshme që PS-ja i jep Belinda Ballukut, pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK dhe ka akuza të forta për afera korruptive?
Vlerësoj se edhe vetë znj.Balluku nuk duhet të pranojë të keqtrajtohet nga Rama në emër të besnikërisë. Patjetër, gëzon prezumimin e pafajësisë, por ka raste në politikë që politikanët i bëjnë një shërbim vendit duke bërë një ose dy hapa pas. Pa pranuar fajësinë pa vendim gjyqi, por duke investuar për kredibilitetin publik edhe pa mandat publik si ministre apo deputete, edhe përgjegjësi për të mos vonuar apo bllokuar perspektivën evropiane të vendit të saj.
A rrezikon kjo situatë besueshmërinë e PS-së në sytë e qytetarëve?
Patjetër. Rama fiton jo nga sukseset ekonomike, por nga sukseset e jashtëzakonshme të ndikimit abuziv dhe patronazhistëve në kërcënimin dhe vjedhjen e votave. Populli shqiptar ka një shprehje shumë domethënëse për mbretërit lakuriq: “Nuk mbulohet dot dielli me shoshë”. Diellin verbues të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe babëzisë nuk e mbulon dot asnjë shoshë oborrtare.
Cila është zgjidhja sipas jush, sa imediat është rotacioni politik në Shqipëri?
Fillimisht duhet një qeveri tranzitore, por jo e partive politike. Kjo rikthen besimin se vota nuk do të vidhet, krijohet shpresë dhe angazhimi i kërkuar politik i shumicës së shqiptarëve dhe vlonjatëve.
Pse shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë, pavarësisht abuzimit të qeveritarëve me taksat e tyre?
Këtë e qartëson një profesor i Yale University, i cili thekson se: “Kur votuesit humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokratët vijnë në pushtet pa tanke”. Ndaj thelbi i fushatës sime në Vlorë është të rritim pjesëmarrjen. Nuk ka qeveri, sado hajdute dhe e kriminalizuar të jetë që mund të mbytë vullnetin e qartë të disa qindra mijëra votuesve. Fitoren time e synoj në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve vlonjatë. Masivizimi i tyre në votime mbyt në mënyrë demokratike çdo skemë hajdute të votave.
Në këtë mjedis politik, ju keni shpallur kandidaturën për garën e kryebashkiakut të ri të Vlorës. Sa reale është ambicia juaj në këtë rast dhe çfarë ju motivon konkretisht?
E plotë, e qartë, e panegociueshme për të bërë hap pas. Mirënjohje e thellë e përditshme dhe e përhershme si edhe deri sot për Vlorën dhe vlonjatët, që më kanë inspiruar, mbështetur dhe promovuar në rrugëtimin e vështirë njerëzor, publik, akademik dhe politik.
Pse ky vendim si kandidat i pavarur, ndërkohë që angazhimi juaj politik ka qenë prej vitesh në PS?
Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat/horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja, për asnjë post publik, me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista jo vetëm personale.
A keni pasur bisedime me PS që të merrnit mbështetjen e saj për ambicien tuaj?
Jo, sepse nuk është më PS-ja.
Çfarë doni të thoni se nuk është më PS-ja?
‘Rilindja’ në thelbin e saj aktual nuk ruan më asnjë vlerë të PS-së si parti demokratike e fjalës e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe.
Cilat kanë qenë reagimet pas deklaratës suaj për garën e Vlorës?
Shumë pozitive. Po ju them vetëm një fakt: në momentin që e bëra prezent këtë ambicie pozitive, detyruese dhe mirënjohëse ndaj Vlorës, e kanë parë këtë postim rreth 178 mijë veta. Kam mesazhe shumë inkurajuese dhe të sinqerta nga personalitete dhe të rinj të diasporës. Ndjej respekt kur kaloj rrugëve të Vlorës. Unë jam bashkërritur me Vlorën dhe vlonjatët e kjo më krijon premisë pozitive për këtë konkurrim.
Çfarë keni konkretizuar deri tani lidhur me garën për Vlorën?
Nuk dua kurrë t’i lodh vlonjatët me një vit fushatë para nisjes së saj zyrtare, siç bën Rama. Fushata ime do të jetë derë më derë, mirënjohëse, pozitive, paqësuese dhe bashkëpunuese. Larg sulmeve dhe akuzave shpifëse. Fushata zyrtare do të jetë vetëm brenda afatit njëmujor që përcakton Kodi Zgjedhor, por puna ime për të njohur problematikën, zgjidhjet për problemet e pazgjidhura prej dekadash ka filluar. Një grup ekspertësh, pa asnjë preferencë specifike politike, kanë filluar të angazhohen për prioritetet dhe sfidat konkrete të Vlorës.
Cilat janë avantazhet tuaja në këtë garë?
E para, është dhënia fund modelit të arrogancës së qeverisjes. E dyta, një model zhvillimi jo duke betonizuar Vlorën, por me vizionin afatgjatë të ‘Vlora2’, duke e mbajtur edhe të gjelbëruar Vlorën aktuale dhe jo kulla në çdo cep të saj. Duhet të orientohemi drejtë te modeli ‘Milano1’ dhe ‘Milano2’. E treta, dhe më thelbësore, do t’i shërbej Vlorës me integritet të lartë dhe të patregtueshëm. Këtë të fundit e vërteton me një fakt. Edhe se unë kisha një familje të madhe me nëntë fëmijë, edhe pse kam mbajtur pozicione të larta politike dhe qeverisëse, asnjë prej vëllezërve dhe motrave të mia, ndryshe nga kolegët e babëzitur, nuk ka përfituar asnjë qindarkë fonde nga buxheti i shtetit. Me të njëjtin integritet do të konkurroj dhe do t’i shërbej Vlorës. Do të konkurroj dhe do të përfundoj çdo mandat publik dhe politik duke jetuar në të njëjtën shtëpi modeste në Vlorë.
Çfarë mungon sot në drejtimin e Bashkisë së Vlorës?
Rama i ka keqtrajtuar të zgjedhurit e popullit të Vlorës duke i nënvleftësuar dhe deri duke i poshtëruar edhe publikisht. Rama e ka reduktuar funksionin e kryetarëve të bashkive deri në nivelin e drejtorëve të ndërmarrjeve komunale të paraviteve ‘90. Administrata publike e bashkisë keqtrajtohet, sikur detyrimi i saj të jetë vetëm të bëhen patronazhistë sybesnikë të palodhur për vjedhje të votave. Shumë prej tyre përzgjidhen nga sistemi i “patronazhistëve” pa minimumin e ndjesisë dhe përgjegjësisë ndaj Vlorës. Mos harroni shkarkimin me urdhër të Ramës të 24 administratorëve të bashkisë.
Cili do të jenë vizioni juaj për Vlorën?
Premtoj dhe garantoj se do të zhduk modelin makiavelist të drejtimit të Vlorës në bashki, institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike. Rama qeveris me filozofinë makiveliste: “Më mirë të më kenë frikë sesa të më duan”. Në çdo angazhim timin publik, akademik dhe politik, mbi 40 vite udhëhiqem gjithnjë nga filozofia: “Më mirë të më duan sesa të më kenë frikë”.
Do ta reduktoj ndjeshëm arrogancën e frikës në çdo aspekt që shfaqet. (i) Tatimet, taksat dhe çdo institucion tjetër në varësi të bashkisë nuk do të paraqitet më për asnjë kontroll fizik në asnjë biznes. Analiza kundër informalitetit dhe mospagimit të taksave do të bëhet me analizë risku nga zyra. Edhe ballafaqimi do të bëhet në zyrat e taksave dhe bashkisë. (ii) Policia Bashkiake nuk do të ketë më makina dhe qëndrime fodulle nga xhamat e makinave, por do të operojë me këmbë ose biçikleta, duke i dhënë respekt maksimal çdo vlonjati dhe çdo turisti. (iii) Asnjë kontroll i zhurmshëm nëpër restorante dhe hotele gjatë sezonit ku tremben klientët, ky do të jetë një kujtim i hidhur nga e kaluara. (iv) Ndërmarrjet e bashkisë me humbje do të ristrukturohen rrënjësisht, duke vlerësuar çdo specialist dhe punëtor, por duke bërë ndërhyrjet e nevojshme që këto ndërmarrje të mos grabisin asnjë qindarkë të tatimpaguesve. (v) Praktika e turpshme e heqjes së aksesit në ujë apo bllokimi i ashensorëve në fillim të sezonit do të ndalohet menjëherë. Çdo vlonjat vendas dhe i ardhur, çdo turist vendas apo i huaj nuk do të përballet më me këtë arrogancë imponuese, prerjen e ujit dhe bllokimin e ashensorëve. Administratorët, nëse tolerojnë këto dy shkelje të dinjitetit njerëzor, rrezikojnë të humbasin vendin e punës. (v) Patronazhistët e ndërmarrjeve publike, duke filluar nga ujësjellësi, të rritur ndjeshëm në numër vetëm për të imponuar apo vjedhur votat, do të përballen me ligjin dhe shkeljen e Kodit të Etikës së çdo punonjësi të bashkisë dhe ndërmarrjeve publike e institucioneve të saj. Çdo projekt, përfshi këtu edhe Sazanin, i cili në qoftë se ka marrë të gjitha lejet sipas legjislacionit shqiptar për të investuar në Vlorë, nuk mund të pengohet. Kjo, sepse kostot janë shumë të rënda për tatimpaguesit shqiptarë. Çdo projekt i miratuar do të ndihmohet edhe nga Bashkia Vlorë, që të bëhen sa më parë funksionalë, të krijojnë vende pune dhe të ardhura. Mos harroni, rasti i pallatit “Basha”: i hedhur në erë me dinamit po u kushton shqiptareve 15 milionë euro, ndërsa rasti “Bechetti” rreth 150 milionë euro.
Njëherësh me ju, edhe Erion Braçe ka shprehur ambicien për Bashkinë e Tiranës. Si e shihni mundësinë e tij…?
Personalisht e kam mbështetur historikisht lirinë e mendimit të lirë, lirinë e mendimit ndryshe dhe sidomos angazhimin e tyre në sfidat e PS-së, të cenuara rëndë nga modeli i babëzisë së ‘Rilindjes’. Erionin e kam mbështetur publikisht kur kandidoi dhe fitoi ndjeshëm në zgjedhjet parlamentare. Erioni i ka lënë të hapura mundësitë të jetë kandidat në emër të PS-së, por ka theksuar se nëse PS nuk e kandidon, ai do të konkurrojë edhe i pavarur. Mundësitë apo pamundësitë për këtë ambicie mund t’i qartësojë vetëm Erioni, sikurse po bëj unë sot, duke rikonfirmuar se do të kandidoj si kandidati i pavarur në Vlorë.
A është ai një kandidat që bashkon apo përçan brenda PS?
Çdo garë që ka qëllime pozitive, asnjëherë nuk përçan, përveç tremb një pjesë të lidershipit të PS-së, që mund të bëjnë gjithçka për ta penguar.
Kush mendoni se ka më shumë gjasa të jetë kandidati zyrtar i PS-së për Tiranën?
Ndjesë, nuk mund të bëj analiza të brendshme kur kam shumë vite që jam më shumë se shumë larg nga prapaskenat dhe poshtërsitë e brendshme të një pjese të lidershipit të ‘Rilindjes’.
Po ndodh...
Denoncimi i berishizmit është parakusht për denoncimin e pushtetit
ide
Leksioni hungarez dhe 4 mesazhe për estabilishmentin politik në Shqipëri
Viktor Orbani diktator?
Pse nuk duhet besuar Kryeministri kur flet për rritjen ekonomike !
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128