Pse nuk duhet besuar Kryeministri kur flet për rritjen ekonomike !

Në fjalimet politike kryeministrore PBB-ja mbahet si treguesi kryesor kryesor i suksesit kombëtar. PBB-ja po rritet, edhe kjo sipas Kryeministrit do të thotë që ekonomia po ecën mirë. Rritja e PBB-së për qeverinë nuk është vetëm një sinjal suksesi, është qëllimi që duhet të aspirojmë, sepse rritja PBB-së do të thotë më shumë progres, më shumë vende pune dhe më shumë prosperitet.
Aq shumë është qeveria e obsesionuar nga rritja e PBB-së, sa është gati ta masë atë jo vetëm në euro por edhe në lira turke për t'u dukur jo dy herë por 14 herë më e madhe.
Por çfarë mat në të vërtetë PBB-ja (ose Prodhimi i Brendëshëm bBruto )? PBB-ja përmbledh ose numëron gjithë transaksionet monetare të kryera brenda vitit në ekonomi . PBB -nuk tregon nëse këto transaksione janë të mira apo të këqija, të dobishme apo të dëmshme, të nevojshme ose jo . Pra, sipas përkufizimit, PBB-ja mbledh gjithçka për të cilën shpenzojmë para: aty futet ndërtimi i një spitali, pastrimi i një kanali ujitës, blerja e një apartamenti , pagesat e avokatëve në mosmarrëveshjet gjyqësore , apo trajtimi i tumorit - të gjitha llogariten si aktivitet ekonomik.
Në këtë kontekst, PBB-ja është një matje më e mirë e kostove sesa e përfitimeve.
Të gjykosh shendetin e ekonomisë nga niveli i PBB-së është si të gjykosh shëndetin e makinës nga sa shpenzon tek servisi i makinave - nëse ju shpenzoni 3,000 euro për riparimin e motorrit të makinës këtë muaj, PBB-ja e lexon këtë transaksion si pozitiv.
Ose në një shoqëri ku njerëzit sëmuret më shpesh nga ndotja apo stresi kostot mjekësore rriten, kështu edhe PBB-ja rritet. Por a janë njerëzit më mirë? Përshembull në 2012 shpenzimet shëndetësore për banorë ishin 354 dollarë sot janë rreth 760 dollarë .
Pra, rritja e PBB-ja tregon rritjet në xhirot e motorit ekonomik, por nuk na tregon se sa mirë funksionon ai, nëse po mbinxehet, apo nëse po shkatërron pjesët përbërse të tij më shpejt sesa mund t'i zëvendësojmë.
Gjithashtu PBB-ja lë jashtë matjes disa nga pjesët vërtet të rëndësishme të pasurisë reale të çdo shoqërie : ekosistemet e shëndetshme, ajrin dhe ujin e pastër, kohën me familjen, shëndetin mendor të qytetarëve , arsimin, biodiversitetin, besimin e komunitetit dhe sigurinë. Asnjë nga këto nuk llogaritet në PBB. Kur zvogëlojmë zonat e mbrojtura për resortet e Ivanka Trump, apo pakësojnë sipërfaqet e gjelbërta për të ndërtuar kulla e resorte PBB-ja rritet, por kjo lloj rritjeje e PBB-së mund të maskojë lehtësisht rëniet reale në mirëqenie, edhe në qëndrueshmëri .
Megjithëse Kryeministri vazhdon ta përdorë rritjen e PBB-në si tabelën e rezultateve të "Shqipërisë së Rilindur" , realiteti është shumë më me nuanca. PBB-ja mat vetëm lëvizjen ekonomike , jo drejtimin, jo cilësinë dhe padyshim jo qëndrueshmërinë . Ajo mbledh transaksionet, por nuk pyet se çfarë po fitojmë ose humbasim në këtë proces si shoqëri. Pra rritja e PBB-së është një instrument i dobët, ajo nuk është një matse e progresit por është një shpejtësimatës pa hartë.
Dy fakte të rritjes ekonomike pa transformim!
Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik i hartuar nga ish këshilltari i Kryeministrit Ricardo Hausmann zbulon se rritja ekonomike e përjetuar në Shqipëri nuk ka nxitur transformimin . Prodhimi mbetet i ulët sipërfaqësor për më keq vitet e fundit në rënie të vazhdueshme. Integrimi i shqipërisë në zinxhirët globalë të vlerave është i përqendruar në segmente me vlerë të ulët me efekte shumë të kufizuara në krijimin edhe shpërndarjen e njohurive, edhe të vendeve të punës të mirëpaguara .
Në 2025, Shqipëria renditet në vendin e 75-të në Indeksin e Kompleksitetit Ekonomik (ECI), duke u pozicionuar në kategorinë nën mesatare përsa I përket kompleksitetin. Ekonomia jonë ka kompleksitetin më të ulët krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia që renditet e 40-ta apo Bosnja që renditet Hercegovina e 37-ta. Eksportet shqiptare kanë cilësi dhe klasifikim teknologjik modest, duke reflektuar një nevojë urgjente për të përmirësuar bazën e eksportit.
Një fakt tjetër që ndoshta është shumë i komplikuar për ta shpjeguar Kryeministri që mburret me rritjen ekonomike pa transformim është zgjerimi i ofertës monetare dy herë më shumë se rritja ekonomike . Ky zgjerim mbivlerëson asetet kryesisht të pasurive të paluajtshme duke e kthyer ndërtimin jo një burim zhvillimi por një amortizator për të thithur ofertën e shtuar monetare .
Këto rreshta megjithëse duken se i drejtohen Kryeministrit nuk janë për të . Ti referohesh rritjes së PBB-së duke e zbrazur nga atë kuptimi e duke korruptuar me mite e gjysmë të vërteta është veçse një mënyrë për të justifikuar e mbuluar dëmin e madh që është shkaktuar .
Këto rreshta janë për publikun sepse siç thotë Gëte : "e vërteta duhet të përsëritet vazhdimisht, sepse kur gënjeshtrat predikohet gjatë gjithë kohës, kthehen në bindje për turmën".
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128