“Nëse nuk do ndërhynte SHBA disa nga ne do ishin vrarë"/ Arben Malaj rrëfen sulmin në Kryeministri dhe si e njohu Ramën

17 Maj 2026, 21:47 / POLITIKË ALFA PRESS

“Nëse nuk do ndërhynte SHBA disa nga ne do ishin

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj i ftuar këtë të diele në emisionin “Interview” me Mirela Milorin në Euronews Albania ka shpjeguar rrjedhën e jetës së tij si ekonomist dhe politikan. Gjatë intervistës në një moment u ndalën në një foto të Malajt i cili duket para një muri të dëmtuar nga të shtënat ndaj Kryeministrisë në vitin 1998.

Sipas tij nëse nuk do të kishin ndërhyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa persona do të ishin të vrarë. Teksa kujtoi momentet e të shtënave, ai theksoi se u mbrojtën pas shtyllave të betonit që ndodheshin në godinë teksa shtoi se ndodhej në katin e 3-të ndërsa breshëria e armëve nisi në katin e parë.

“Në shtator të 98-s ndodhi vrasja e Azem Hajdarit dhe pati revolta. Sigurisht që revolta do kishte në çdo vend të botës, por që të marrësh një arkivol e t’i biesh derës së kryeministrit që ta futësh në arkivol duke e gjetur aty ku punon, është e tmerrshme.

Partia Demokratike është e vetmja parti politike në botë që rrëmben tank dhe vendos te selia e saj. Unë e them me bindje se kemi qenë ndër të fundit, dy-tre veta që kemi ikur, që në qoftë se nuk do të kishin ndërhyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa nga ne do ishin të vrarë.

Ata u futën, i gjithë meraku jonë ishte të mos vritej njeri sepse ishte si të hidhje benzinë zjarrit. Se tani thonë të vret Garda sepse ka rregullat e saj. U plagos komandanti i gardës, një burrë fisnik. Ata hynë në katë të parë dhe ne ishim në katë të tretë. Dhe ata filluan të godisnin me breshëri nëpër mure pa parë për asgjë fare dhe ne mbroheshim në shtyllat e betonit”, tha ai ndër të tjera.

Malaj tregon si e njohu Edi Ramën: Është viktimë e përbindshave të vetë

Malaj është ndalur edhe te mendimi i tij për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, Rama nuk ka dije shtetformuese dhe beson verbërisht te këshilltarët e huaj.

“E kam njohur për herë të parë fizikisht kur i vdiq i ati dhe ne shkuam me Nanon atje, bashkë me Ben Blushin. Ishim një grup në shtëpinë e tij për ta ngushëlluar. Pastaj erdhi momenti se si u fut në politikë. Nano kishte një teori për të gjithë ata që e kritikonin, edhe me të drejtë: ‘Në vend që të kritikoni, më thoni si bëhet, hajdeni’. Kjo ishte teoria që ai thoshte gjithmonë. Edhe Rama, mesa duket, ra dakord.

Ka edhe një detaj interesant: dekreti që ishte mbi tavolinë për t’u firmosur nga Nano kishte emrin e Luan Ramës për ministër Kulture, por mesa duket Rama ra dakord dhe Nano tha: ‘Ramën e lashë, po hoqa vetëm Luanin’.

Me Ramën kam pasur një mendim që ia kam thënë edhe Nanos dhe po e them edhe publikisht: për mua nuk ka asnjë qelizë shtetformuese. Ka emocion, ka karizëm, por nuk e njeh shtetin. Nuk pranon të këshillohet, denigron këshilltarët e brendshëm dhe beson në mënyrë të verbër këshilltarët e huaj. Rama është viktimë e përbindëshave të tij të brendshëm”, tha Arben Malaj.

Po ndodh...