Rrjeti kriminal mashtronte pacientët me “ilaçe mrekullie”, 240 milionë euro fitime nga barnat false që rrezikuan jetën e mijëra qytetarëve

17 Maj 2026, 18:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Rrjeti kriminal mashtronte pacientët me “ilaçe

Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i mbështetur nga Eurojust dhe Europol, çoi në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në shitjen e suplementeve dhe barnave të falsifikuara në të gjithë Evropën dhe më gjerë.

Autoritetet nga 15 vende bashkëpunuan në hetimin që zbuloi një rrjet të sofistikuar mashtrimi, i cili prej vitit 2019 operonte përmes kompanive të krijuara posaçërisht për tregtimin e produkteve të paautorizuara. Sipas hetimeve, grupi kishte gjeneruar të paktën 240 milionë euro përmes aktiviteteve të paligjshme.

Rrjeti kriminal reklamonte mbi 400 produkte të ndryshme, duke pretenduar se ato shëronin sëmundje serioze apo të pashërueshme. Për të fituar besimin e qytetarëve, anëtarët e grupit krijuan qindra faqe interneti dhe profile në rrjetet sociale, ku përdornin emra dhe imazhe të personazheve të njohur, si edhe identitete të rreme mjekësh dhe specialistësh.

Hetimet zbuluan se operatorët kontaktonin qytetarët pasi ato plotësonin formularë online, duke u prezantuar si profesionistë të shëndetësisë dhe duke i bindur të blinin “trajtime” të rreme. Produktet e shpërndara nuk kishin asnjë efekt mjekësor dhe përmbanin përbërës të ngjashëm, pavarësisht pretendimeve për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Autoritetet theksojnë se mashtrimi ka shkaktuar pasoja serioze për shëndetin e viktimave, pasi shumë prej tyre kishin ndërprerë trajtimet e rekomanduara nga mjekët. Kur një produkt merrte shumë ankesa, ai riemërtohej dhe hidhej sërish në treg me një identitet të ri.

Hetimi nisi nga autoritetet rumune, pas denoncimeve të qytetarëve dhe më pas u zgjerua në disa vende evropiane.

Po ndodh...