Dy vëllezërit siamezë: Berisha dhe Rama nga ‘narkoshteti’ te vota e përbashkët për Europën

Partia Demokratike bashkoi edhe një herë votat me mazhorancën e Edi Ramës. Pas amnistisë penale që çliroi të korruptuar të nivelit të lartë, pas dakordësimit për një kod zgjedhor që më pas prodhoi një avantazh disproporcional për PS-në, kësaj here PD kreu një akt politik edhe më domethënës në pikëpamjen vetëshkatërruese dhe vetëdemaskuese: votoi bashkë me PS rezolutën për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në pamje të parë, shumëkush mund ta konsiderojë këtë si një akt përgjegjësie shtetërore; si një moment ku opozita vendos interesin kombëtar mbi konfliktin politik të ditës. Dhe po, teorikisht kështu duhet të funksionojë një demokraci europiane: integrimi të jetë mbi palët.
Por në fakt, kjo narrativë është retorikë politike me gjuhë latente që gënjen dhe mbulon të vërtetat e mëdha pas mantelit të atdhetarizmit. Sepse problemi nuk qëndron tek vota pro BE-së. Problemi qëndron tek kontradikta dramatike politike dhe morale që kjo votë ekspozon, dhe për këtë mjaftojnë tre fakte esenciale:
Së pari, PD mund dhe do duhej me çdo kusht të miratonte çdo germë të kësaj rezolute që votoi sot, por duke shtuar edhe disa fjali që përmbajnë të vërteta të mëdha.
Në rezolutë duhet të shkruhej që zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe me standarde europiane duhet të jetë një kusht i panegociueshëm, për të cilin PD i bën thirrje BE-së të asistojë dhe madje ta garantojë në Shqipëri, pasi në Shqipëri nuk ka zgjedhje reale.
PD këtë nuk e bëri sot, por shkoi dhe votoi rezolutën e Edi Ramës që proklamonte Shqipërinë si një vend të denjë për anëtarësim në BE. Prej vitesh, Partia Demokratike dhe vetë Sali Berisha i kanë justifikuar humbjet elektorale me tezën se Shqipëria nuk zhvillon zgjedhje të lira; se vota deformohet nga krimi, paratë e drogës, kapja e shtetit dhe presioni administrativ; se vendi është shndërruar në “narkoshtet”; se opozita përballet me një regjim dhe jo me një kundërshtar normal politik.
Nëse kjo është e vërtetë dhe PD e ka përsëritur si tezë ekzistenciale për vite me radhë atëherë si mundet që po kjo opozitë të votojë pa asnjë kushtëzim një rezolutë që e paraqet Shqipërinë si një vend në trajektore normale europiane?
Ose jemi vend i gatshëm për të hyrë në BE, ose jemi narkoshteti i Edi Ramës, dhe nuk ka sesi opozita që shpesh e krahason liderin e saj me Alexei Navalny të votojë këtë rezolutë. A do ta votonte Navalny, nëse do të ishte ende gjallë, një rezolutë ku të shkruhej se Rusia në gjendjen aktuale është në rrugë për të hyrë në BE? Kurrë!
Një opozitë serioze do ta kishte votuar çdo germë të kësaj rezolute, por do të kishte kërkuar të përfshihej një parim themelor: zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe sipas standardeve europiane si kusht i panegociueshëm për avancimin e procesit të integrimit. Do t’i kërkonte BE-së asistencë, monitorim të zgjeruar, madje garanci politike për zgjedhje reale në Shqipëri.
Një vetëdiskreditim i jashtëzakonshëm që Berisha i ka bërë çdo kauze të tij, dhe nga sot ai, me votat e çdo deputeti demokrat, ka njohur zgjedhjet e 11 majit, ka njohur humbjen e tij dhe nuk duhet të flasë më për justifikime humbjesh, por të përballet kokulur me humbjen dhe pasojat.
Ose zgjedhjet ishin të manipuluara dhe të vjedhura dhe Shqipëria nuk mund të hyjë në BE pa zgjedhje të reja të parakohshme me tutelën e BE-së, ose zgjedhjet ishin brenda standardeve dhe PD i njeh. PD sot i njohu zgjedhjet si europiane; madje votoi një tekst që në thelb legjitimon normalitetin institucional të vendit.
Kjo nuk është thjesht kontradiktë. Është vetëdemaskim politik.
Berisha tregoi se është i qartë që ai humbi përballë Edi Ramës dhe se justifikimet e tij janë mashtrime për demokratët.
Së dyti, shprehja “mos u bëj më katolik se vetë Papa” sot merr më shumë vlerë se kurrë për Sali Berishën dhe hovin e tij për të votuar rezoluta që ndihmojnë Edi Ramën. Çfarë dua të them:
Një proces IBAR u bllokua për të dytën herë nga BE, dhe arsyeja ka një emër:
mbrojtja që Edi Rama i bën Belinda Balluku me votat e mazhorancës socialiste në Kuvend. Një proces kyç si IBAR dokumenti më i rëndësishëm aktual në negociatat me BE-në, që lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit u bllokua sërish nga Bashkimi Europian.
Pra, çfarë absurdi:
BE bllokon procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, dhe opozita e Edi Ramës, në vend që të njësojë votat me BE-në, i del kundër saj dhe mbështet Edi Ramën. Si mund ta votonte PD një rezolutë pa shkruar në të shqetësimin e madh të vetë BE-së, luftën që Rama dhe Balluku po i bëjnë SPAK dhe GJKKO? Pse duhet ta votonte opozita një rezolutë që e anashkalon këtë ngjarje kaq dramatike? Mos e do më shumë Berisha Ramën sesa vetë Edi veten e tij?
Pra kemi një paradoks absurd:
BE ngre pikëpyetje serioze mbi standardin shqiptar të shtetit të së drejtës, ndërsa opozita shqiptare voton një rezolutë sterile, të sheqerosur, pa asnjë referencë për problemet reale që vetë denoncon çdo ditë.
Dhe së fundmi, është një rezolutë që nuk përmend asnjë problem sistemik të Shqipërisë, i cili pa u zgjidhur nuk lejon të integrohet Shqipëria në BE.
Asnjë fjalë për pastrimin masiv të parave.
Asnjë fjalë për kapjen oligarkike të ekonomisë.
Asnjë fjalë për sulmet e vazhdueshme ndaj SPAK dhe GJKKO.
Asnjë fjalë për korrupsionin sistemik.
Asnjë fjalë për deformimin e konkurrencës politike.
Cila opozitë i drejtohet BE-së me nota dashurie, me tekst të sheqerosur dhe bojë rozë për “kundërshtarin e saj”, duke i thënë se qeveria e drejtuar prej tij meriton të avancojë anëtarësimin e vendit në BE? Vetëm partia e Sali Berishës.
Nëse opozita beson realisht narrativën që artikulon çdo ditë, si mund të votojë një rezolutë të tillë pa asnjë kushtëzim politik?
Opozita ekziston pikërisht për të institucionalizuar të vërtetat që pretendon, jo për t’i relativizuar ato në momentin e parë serioz institucional. Dhe kjo është arsyeja pse ky votim është shumë më tepër sesa një episod parlamentar. Është një moment që ekspozon krizën e identitetit të opozitës shqiptare.
Një opozitë e vërtetë nuk i bën opozitë qeverisë vetëm me protesta periodike dhe retorikë televizive. I bën opozitë edhe në dokumentet historike, duke imponuar kushte, standarde dhe vijë ndarëse morale.
Sot, Partia Demokratike nuk bëri asnjërën, por u fsheh pas shprehjes se streha e fundit e maskarenjve është atdhetarizmi.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128