Këlliçi akuzoi Hoxhën për fyerje, reagon MEPJ: Biseda e sajuar!

24 Prill 2026, 19:10 / POLITIKË ALFA PRESS

Këlliçi akuzoi Hoxhën për fyerje, reagon MEPJ: Biseda e

Ministria e Jashtme ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me denoncimin e publikuar nga deputeti Belind Këlliçi, i cili akuzonte ministrin, Ferit Hoxha, për fyerje.

Sipas denoncimit të Kelliçit, Hoxha i kishte cilësuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”, ndërkohë që MEPJ, ka hedhur poshtë denoncimin, duke pretenduar se biseda është e sajuar.

Sipas reagimit, komunikimi i shpërndarë nga deputeti është i rremë dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

“Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.

Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”,- thuhet në reagim.

 

Po ndodh...