E paralajmëruan për Ballukun/ 9 vende të BE ngrijnë negociatat me Shqipërinë

Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë futur në një fazë frenimi, që i dedikohet votimit të datës 12 mars në parlament, kur Edi Rama me 82 vota socialistësh rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, një akt për të cilin ishin paralajmëruar pasojat nga zëra të fuqishëm të BE dhe nga disa ambasada perëndimore në Tiranë.
Ndaj, ajo që deri dje ishte një përplasje e brendshme mes prokurorëve të SPAK-ut dhe Partisë Socialiste ka udhëtuar drejt Brukselit si një test i dështuar për reformën në drejtësi.
Lapsi.al mësoi se në diskutimet e datës 1 Prill në COELA që është një grup pune i Këshillit të Bashkimit Europian, ku përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit, nga 9 vende anëtare të Bashkimit Europian janë ngritur disa çështje që rrezikojnë avancimin me negociatat.
Burime diplomatike konfirmojnë se një diskutim i detajuar është zhvilluar mbi raportin IBAR, instrumenti teknik që mat nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në GrupKapitullin 1, që përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike.
Ky raport është një lloj filtri kritik që përsëritet herë pas herë në vlerësimet për një vend kandidat: pa kaluar IBAR-in, kapitujt nuk mbyllen dhe procesi mbetet në vendnumëro.
Në këtë fazë, Presidenca e Bashkimit Europian prezantoi një draft të rishikuar të pozicionit të përbashkët, duke reflektuar pjesërisht komentet e shteteve anëtare. Ndryshimet prekën një gamë të gjerë fushash, nga funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratë, tek konfiskimi i pasurive, liria e shprehjes, të drejtat e pronësisë dhe lufta kundër korrupsionit.
Komisioni Europian, nga ana e tij, mbrojti një qëndrim teknikisht pozitiv për Shqipërinë. Në mbledhje iu dhanë përgjigje të detajuara rreth 43 pyetjeve të shteteve anëtare dhe u theksua se Shqipëria “ka bërë mjaftueshëm për të mbyllur pikat ndërmjetëse të Grupkapitulli 1”. Por duket se nota pozitive në një vlerësim teknik nuk mjafton kur mungon besimi politik.
Dhe pikërisht këtu nis ana tjetër e procesit, që nuk paralajmëron asgjë të mirë për Shqipërinë.
Lapsi.al mësoi se një grup i konsiderueshëm shtetesh anëtare, 9 prej tyre, që përfshin Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë, nuk janë ende të bindura se është momenti për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë. Secila prej tyre ka ngritur flamuj të kuq në fusha të ndryshme: Polonia për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë, pakicat kombëtare, Bullgaria për pakicat, Austria për çështje konkrete si IPARD-i etj. Hezitimi i tyre kërkon pyetje të tjera shtesë.
Vende të tjera ishin më fleksibël. Estonia kupton shqetësimet e Holandës, Gjermanisë dhe të tjerëve, por thekson rëndësinë e avancimit të procesit. Nëse Bashkimi Europian ka kushte shtesë për Shqipërinë, ato duhet të përcaktohen qartë, dhe jo të vazhdohet pafundësisht me diskutime pa objektiv. Nga ana tjetër,
Spanja dhe Italia shprehën mbështetje, duke theksuar se ky është edhe një problem komunikimi strategjik për BE-në, nëse nuk arrin t’i shpjegojë Shqipërisë pse procesi po vonohet.
Në sipërfaqe shqetësimet e 9 vendeve duken si teknike. Në thelb, ato janë shprehje e një mosbesimi më të thellë: a funksionon realisht shteti i së drejtës në Shqipëri, apo mbetet i varur nga vendimet politike?
Nëse Shqipëria do të ecë para në procesin e negociatave, tani u takon shteteve anëtare të bien dakord për një qëndrim të përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1, i cili do të përcaktojë piketat përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës, por për momentin, kjo marrëveshje mungon.
Procesi pritet të hyjë në një tjetër raund diskutimesh më 7 prill në COELA, ku shtetet anëtare do të kërkojnë sqarime shtesë nga Komisioni, përpara se një draft i ri të hidhet në tavolinë më 9 prill.
Kjo do të thotë më shumë pyetje, më shumë kushte dhe më shumë verifikime.
Ndërkohë, në Tiranë, kryeministri ka vazhduar me fjalimet mohuese dhe vijon të shesë një optimizëm që nuk përputhet dhe aq me situatën. “Ky është një moment kur ne mund të bëjmë historinë duke hyrë në Bashkimin Europian. Është hapur një dritare, ose më saktë, është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do të bëhemi sebep që të mbyllet dera”, u shpreh Rama pikërisht në datën 1 Prill në një takim me studentët me temë integrimin në Bashkimin Europian.
Në anën tjetër Sali Berisha e lexon situatën si një bllokim të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga mbrojtja politike e Ballukut. “Malit të Zi ju votua, ndonëse kanë një seri vërejtjesh, por IBARI-n ja votuan. Kurse Edi Rama është bërë parzmore e korrupsionit. Përdori 83 mandatet për Lubi Ballukun. Edi Rama është kreu i organizatës kriminale, jo vetëm në rastin e qeverisë, por edhe në rastin Balluku”, deklaroi ai në një konferencë për mediat.
Kontrasti me Malin e Zi është domethënës. Radio Evropa e Lirë raportoi pak ditë më parë se Podgorica arriti të kalojë IBAR-in dhe të avancojë në negociata. Tirana, në të kundërt, po ngec në të njëjtin prag, duke u përballur me dyshime për mënyrën se si premtimet për drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit po zbatohen në praktikë.
Në fund të ditës, qeveria e Ramës ishte paralajmëruar për pasojat që do të kishte për negociatat dhe po dështon pikërisht aty ku pretendon se ka bërë revolucion: tek drejtësia. Dhe në qendër të këtij revolucioni, si simbol i përplasjes qëndron një emër i vetëm: Belinda Balluku./Lapsi.al
Po ndodh...
ide
Rilindja është Kapitalizmi i Katastrofës
Pse tifozeria e Kosovës ishte aq e vdekur dhe mungonin simbolet kuqezi?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128