"Berisha në të kaluarën, Rama tani"/ Media gjermane: Ish-komunistët, ose pasardhësit e tyre drejtojnë vendin për 36 vite

16 Qershor 2026, 19:18 / POLITIKË ALFA PRESS

"Berisha në të kaluarën, Rama tani"/ Media gjermane:

Prej dy javësh, mijëra njerëz po protestojnë në Tiranë kundër resorteve luksoze të planifikuara në një zonë të mbrojtur natyrore. Një student i drejtësisë tani kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Daullet ushtojnë rëndë në muzgun e mbrëmjes. Flamujt e kuq kombëtarë dhe flamingot rozë prej kartoni e gome, të vendosura mbi shkopinj druri, valëviten mbi turmën e gëzuar që prej gati dy javësh po proteston para godinës së qeverisë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, kundër kastës politike që kritikohet si arrogante dhe e korruptuar. Dronë me kamera fluturojnë mbi kokat e protestuesve. Koret ritmike kërkojnë pa pushim largimin e kryeministrit Edi Rama, madje edhe arrestimin e tij: “Edi Rama – në burg!”

“Era e ndryshimit: Berlini 1989, Tirana 2026” – kështu shkruhet në pankartën që mban Ermali, një infermier me flokë të zinj, i cili ka dalë në protestën e përditshme. “Kjo është muri ynë!”, thotë ai duke treguar drejt godinës së qeverisë, e ruajtur nga disa policë dhe me grilat e ulura. “Ky mur, që ende ekziston në mendjet tona, duhet të bjerë dhe të zhduket.” Qoftë Berisha dikur apo Rama tani, “prej 36 vitesh vendin e drejtojnë ish-komunistë ose pasardhësit e tyre”, ankohet Ermali. Por protestat nuk kanë të bëjnë vetëm me resortet luksoze të planifikuara në zonat e mbrojtura natyrore. “Njerëzit janë lodhur. Janë ngopur me një sistem ku pak veta marrin çfarë duan pa u shqetësuar për popullin, ligjin dhe vendin e tyre.”

Dhëndri i Trumpit planifikon resort luksoz
Shqipëria, vend kandidat për në Bashkimin Evropian, vazhdon të përballet me tensione. Prej kohësh, protestat e quajtura “Protestat e Flamingove”, që zgjasin prej dy javësh kundër dy resorteve luksoze të planifikuara nga një konsorcium ku përfshihet dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, në zonën e mbrojtur të deltës së Vjosë-Nartës, janë shndërruar në një revoltë kundër elitës politike të vendit. Kryeministri i fuqishëm dhe prej 13 vitesh në pushtet, Edi Rama, po përballet gjithnjë e më shumë me kërkesa për llogaridhënie.

Pakënaqësinë e tij, Rama e shpreh hapur. Ai ankohet për një “det me gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta”. Edhe pse në fund të majit në internet qarkulluan pamje të buldozerëve që punonin mbi dunat e rërës, Rama vazhdon të mohojë se ndërtimet kanë nisur në mënyrë të paligjshme. “Planifikimet nuk kanë përfunduar ende. Nuk ekziston as projekti dhe asnjë leje nuk është dhënë,” deklaron ai.

Organizatat mjedisore të shqetësuara
Ndryshe pretendojnë organizatat shqiptare për mbrojtjen e mjedisit. Sipas tyre, ka nisur ndërtimi i paligjshëm i një rruge të re prej tetë kilometrash dhe një ure në deltën e Vjosës, një habitat i paprekur ku strehohen dhe shumohen shumë lloje shpendësh.

Që kur, dy javë më parë, gjatë protestave të banorëve të zemëruar në fshatin bregdetar të Zvernecit pranë Vlorës, një protestues u neutralizua nga rojet private dhe u tërhoq zvarrë nëpër plazh, vala e protestave e quajtur “Revolucioni i Flamingove” po i shkakton gjithnjë e më shumë vështirësi Ramës.

Kryeministri argumenton se pronarët privatë kanë të drejtë të rrethojnë pronat e tyre, si kudo në botë. Shqipëria nuk është “një republikë bananesh”, thotë ai. Sipas Ramës, fakti që dëshiron të zhvillojë Shqipërinë përmes një investimi prej katër miliardë eurosh po e bën atë të paraqitet padrejtësisht si një “vrasës flamingosh” që po ua shet ishujt oligarkëve.

Në një pankartë proteste, dy flamingo me sqepat e tyre të fuqishëm kanë kapur nga jaka dy politikanët, Ramën dhe ish-presidentin Sali Berisha.

“Qëllimi ynë është dorëheqja e kryeministrit”, thotë me vetëbesim Ardit Minarolli, një nga organizatorët e protestave. Sipas studentit të drejtësisë, Rama ka bërë shumë premtime gjatë 13 viteve në pushtet. “Por e vetmja gjë që ka arritur është se një numër i madh njerëzish kanë emigruar dhe se për ata që, si unë, duan të qëndrojnë, jeta është bërë gjithnjë e më e vështirë.”

Për momentin, forcat e “Revolucionit të Flamingove” duken ende të kufizuara. Megjithatë, po shfaqen gjithnjë e më shumë çarje në imazhin e pushtetit të Ramës. Sipas deputetes opozitare Jorida Tabaku, nervozizmi i kryeministrit nuk lidhet aq shumë me protestat sa me humbjen e ndikimit në rrjetet sociale.

“Ai e adhuron të jetë mbreti i rrjeteve sociale. Por atë pozicion dhe atë betejë tashmë e ka humbur”, thotë ajo./Përktheu Alfapress.al, marrë nga Fr.de

Po ndodh...

ide