A po i prishet rehatia nga të vetët Ramës? Gazetari Poli Hoxha komenton lëvizjet e fundit të Spiropalit dhe Braçes: Ka marrë sinjale!

4 Prill 2026, 19:09 / POLITIKË ALFA PRESS

A po i prishet rehatia nga të vetët Ramës? Gazetari Poli Hoxha

Gazetari Poli Hoxha ka komentuar në “Kjo Javë” në News24 zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te debatet dhe qëndrimet kritike brenda Partisë Socialiste, si dhe reagimet e figurave të njohura si Elisa Spiropali dhe Erion Braçe.

Sipas Hoxhës, në Shqipëri është harruar thelbi i demokracisë, ku partitë politike duhet të jenë në qendër, ndërsa sot ato, sipas tij, janë kthyer në problemin kryesor për shkak të kapjes dhe dobësimit të tyre. Ai theksoi se zërat kritikë brenda partive kanë nisur të rikthehen, qoftë për arsye personale apo zhgënjimi, duke shtuar se një pjesë e anëtarësisë po largohet, ndërsa të tjerë po ngrenë zërin. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe precedentë si “Lëvizja për Mendimin Ndryshe” në vitin 2012, e cila sipas tij u shtyp.

Duke komentuar daljet publike të Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit, Hoxha u shpreh se ato nuk janë rastësore dhe se në thelb po artikulojnë çështje që lidhen me meritokracinë, garën dhe mendimin e lirë brenda partisë.

Sipas tij, veçanërisht Erion Braçe “po bën një shërbim” duke nxjerrë në pah problematikat e brendshme, duke shtuar se këto zhvillime po e ekspozojnë kryeministrin Edi Rama. “Rama e ka nisur këtë tur, sepse i kanë ardhur sinjale nga baza”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se takimet e fundit të kryeministrit me kryebashkiakët tregojnë një ndryshim në qasje, krahasuar me qëndrimet e mëparshme. Në analizën e tij, gazetari nënvizoi se diskutimet për statutet, meritokracinë dhe hapjen e partive janë bërë tashmë pjesë e debatit publik si në Partia Socialiste e Shqipërisë, ashtu edhe në Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Neve po na dalin simptomat se këtu është harruar se në thelbin e demokracisë, qëndrojnë partitë. I kemi harruar partitë. Këtu në Shqipëri partitë janë problemi më i madh, kapja e tyre dhe shkatërrimi i tyre. Pastaj na del kjo qeverisje. Kanë nisur të zgjohen. Disa për arsye personale, disa në zhgënjim, gjithmonë ka zierë baza, edhe në PS dhe në PD. Ata që mërziten dhe ikin. Meqë janë rikthyer zërat kundër, si Spiropali dhe Braçe, në 2012 lindi Lëvizja për Mendimin Ndryshe, u shtyp pa mëshirë.

Ishin personalitete në të, Marko Bello, Malaj, Meksi. Është lëvizje për mendim ndryshe. Nuk është rastësore dhe dalja e Braçes. Duket ndonjëherë sikur është bashkëpunim (Spiropali dhe Braçe).

Me teza Braçja ka ecur përpara, por dhe Spiropali sot. Çdo lideri suprem i duhet një si Braçe. Thelbin tani ka nisur ta thotë Braçe. Në të dyja partitë po zihet në gojë meritokracia, gara dhe mendimi i lirë. PS nuk ka ardhur kur erdhi në krye Rama. Braçe foli për statutin. Braçe është duke bërë një shërbim, që po e nxjerr Ramën ‘lakuriq’. Nuk ka rëndësi nëse Braçe do kandidojë apo jo, apo Salianji nga ana tjetër. Rama ka pasur takime me kryebashkiakët, ndërsa në takimet e mëparshme i injoronte, sot i kapte nga qafa. Rama e ka nisur këtë turin për këtë, se i kanë ardhur sinjalet nga baza.”, pohoi Hoxha.

 

Po ndodh...

ide