Ibrahimovic bën akuza të forta: Po bëhet gjithçka që Ronaldo ta fitojë Kupën e Botës

3 July 2026, 22:25 / SPORT ALFA PRESS
Ibrahimovic bën akuza të forta: Po bëhet gjithçka që

Ish-sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të arbitrimit në ndeshjen mes Portugalisë dhe Kroacisë, duke pretenduar se përdorimi i VAR-it ndikoi drejtpërdrejt në eliminimin e kroatëve.

Debati u ndez pasi një gol i shënuar nga Kroacia në minutën e 103-të u anulua pas rishikimit me VAR, ndërsa Portugalia siguroi fitoren 2-1 dhe kalimin në fazën tjetër të Kupës së Botës.

Duke folur për FOX Sports, Ibrahimovic tha se e ka analizuar disa herë aksionin që çoi në anulimin e golit dhe është i bindur se topi nuk ka prekur sulmuesin kroat Igor Matanovic.

Sipas tij, vendimi ishte i gabuar dhe ndikoi në fatin e ndeshjes.

“Gjyqtarët po bëjnë çdo gjë në fuqinë e tyre për ta ndihmuar Cristiano Ronaldon ta fitojë Kupën e Botës, ndërsa vazhdojmë të dëgjojmë se Lionel Messi është favoriti i FIFA-s. Kjo është një vjedhje e qartë. Topi nuk e preku fare lojtarin kroat”, u shpreh Ibrahimovic.

Legjenda suedeze kritikoi gjithashtu mënyrën se si po përdoret sistemi VAR, duke thënë se teknologjia po analizon detaje minimale në vend që të shërbejë për korrigjimin e gabimeve të dukshme.

“Tifozët nuk shkojnë në stadium për të parë ekranet. Ata shkojnë për emocionet e futbollit. Kemi arritur në një pikë ku VAR-i nuk po përmirëson gabimet, por po kërkon milimetra që askush nuk mund t’i dallojë gjatë lojës”, deklaroi Ibrahimovic.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa polemikat për arbitrimin dhe përdorimin e VAR-it në Kupën e Botës vazhdojnë të dominojnë diskutimet në botën e futbollit.

Komente (0)

Po ndodh...