Gjermania dhe Danimarka thyejnë kufijtë historikë të të nxehtit

27 June 2026, 20:51 / BOTA ALFA PRESS
Gjermania dhe Danimarka thyejnë kufijtë historikë të të

Gjermania dhe Danimarka janë përfshirë nga temperatura rekord ndërsa vala e të nxehtit në Evropë është zhvendosur drejt lindjes.

Nga Skandinavia deri në Alpet Evropiane, qytetarët u përballën sot me kushte klimatike përvëluese, ndërsa një valë e të nxehtit, u përhap drejt lindjes, me temperatura që thyen kufirin e 40°C në disa zona, raportoi “Reuters”.

Danimarka regjistroi temperaturat më të larta të të gjitha kohërave, ndërsa edhe Britania e Madhe, Franca, Zvicra dhe Gjermania përjetuan më herët, temperatura rekord për muajin qershor, përpara se sistemi meteorologjik të zhvendosej drejt Polonisë.

Shkencëtarët deklarojnë se kjo valë e të nxehtit, do të kishte qenë praktikisht e pamundur, pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat kanë bërë që, temperaturat e kësaj jave të ishin deri në 100 herë më të mundshme sesa dy dekada më parë.

Vala e të nxehtit pritet të kulmojë gjatë fundjavës me mbi 40°C në disa pjesë të Gjermanisë.

Ditën e djeshme, një rekord i ri kombëtar prej 41,3°C u regjistrua pranë qytetit Saarbrücken, pranë kufirit me Francën, sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman.

Ndërkohë, Instituti Meteorologjik Danez raportoi sot një temperaturë prej 37°C në veri të Aarhusit, temperatura më e lartë e regjistruar që nga viti 1874.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime ekstreme për pothuajse, të gjithë Gjermaninë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të kursejnë ujin.

Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42°C në disa zona, ndërsa edhe në Poloni ato i kanë kaluar ndjeshëm 30°C.

Në Francë, dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit.

Temperaturat mbi 40°C kanë ndikuar në transportin hekurudhor, prodhimin e energjisë dhe kanë detyruar anulimin e aktiviteteve publike, mbylljen e shkollave dhe kufizimin e eventeve në natyrë.

Në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq për 18 qytete, përfshirë në Milano, Romë, Torino, Venecia, Gjenovë, Firence dhe Bolonja, me temperatura deri në 39°C.

Në Bolzano u raportua edhe nata më e nxehtë e muajit qershor e regjistruar ndonjëherë.

Autoritetet në Francë paralajmërojnë se, ndonëse vala e të nxehtit, po tërhiqet gradualisht, presioni mbi sistemin shëndetësor do të vazhdojë edhe për disa ditë, ndërsa rastet e shtrimeve në spitale mbeten të larta.

Zjarret në Francë janë shtuar krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa infrastruktura evropiane po përballet me dëmtime të shumta: rrugë që deformohen, shina treni që zgjerohen dhe kufizime në transport.

  •  

Në Gjermani, operatori hekurudhor “Deutsche Bahn” ka lejuar anulimin falas të udhëtimeve në distanca të gjata, ndërsa disa linja janë pezulluar përkohësisht në North Rhine-Westphalia.

Afër Hamburgut, një nga autostradat kryesore u dëmtua pasi asfalti u ça nga temperaturat ekstreme.

Në Zvicër, aktiviteti “Pride” në Lozanë u zhvillua me masa shtesë sigurie, ndërsa në Milano parada u shty për në orët e pasdites për të shmangur vapën e madhe.

Meteorologët thonë se vala e të nxehtit pritet të dobësohet në fundjavë, e shoqëruar me stuhi të forta.

Fenomeni i quajtur “bllokimi Omega” ka mbajtur të ngujuar një masë ajri të nxehtë mbi Evropë, duke e bërë vapën të zgjasë më shumë se zakonisht.

Kërkesa për ventilatorë dhe sisteme ftohjeje është rritur ndjeshëm, ndërsa kompanitë aziatike të kondicionerëve, raportojnë rritje të shitjeve në tregun evropian.

 

Po ndodh...

ide