Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese: Ja pse u la në fuqi vendimi për pezullimin e Ballukut!

2026-03-03 11:50:19 / POLITIKË ALFA PRESS

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese: Ja pse u la në

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin ndaj ish zv kryeministres Belinda Balluku për të cilën në datën 6 shkurt duke mos u arritur kuorumi i duhur i votave, (ndarë katër me katër), u vendos rrëzimi i kërkesës së kryeministrit.

Kushtetuesja ka dhënë argumentet ligjore rreth konfliktit të kompetencave midis qeverisë, pushtetit gjyqësor për imunitetin e ministrit që e ndau kushtetuesen në dy qëndrime.

Pjesë nga vendimi i Kushtetueses për Belinda Ballukun:

Kërkuesi ka pretenduar se midis tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë, nga ana tjetër, ka lindur një mosmarrëveshje kompetence, sipas shkronjës “ç” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, pasi pezullimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë cenon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave në disa nga fushat e përgjegjësisë së tij, si dhe ndërhyn në kompetencat e Kryeministrit, si organ kushtetues, duke sjellë shkarkimin de facto të ministres.

Sipas kërkuesit, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka ndërhyrë në diskrecionin që Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës i ka njohur Kryeministrit për të propozuar ministrat dhe në pushtetin ekzekutiv, pasi anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit.

Kërkuesi ka pretenduar edhe se GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk ka juridiksion për çështjet që kanë të bëjnë me mandatin e ministrit, deputetit ose të funksionarëve të tjerë të lartë kushtetues, pasi ata nuk janë organe administrative të zakonshme, por organe kushtetuese, për rrjedhojë mandati i tyre përbën çështje të së drejtës kushtetuese. Sipas tij, në rast se do të lejohej pezullimi nga detyra i një funksionari kushtetues, siç është ministri, do të duhej që Kushtetuta ta parashikonte shprehimisht këtë mundësi dhe organin kompetent për të vendosur pezullimin.

Për sa kohë nuk ka një parashikim të tillë për ministrin në Kushtetutë, pezullimi i tij nuk mund të kryhet.

Për këtë shkak lind nevoja për interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, i cili ka parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

 

Happening now...

ideas