Teatri që fsheh prapaskenën

2025-12-18 13:36:23 / IDE NGA PATRIK SADIKAJ

Teatri që fsheh prapaskenën

Gjithmonë, pas pazarit ka një teatër që publiku të harrojë.

E nuk u zhgënjyem as këtë herë. Deputetët që firmosën Avokatin e Popullit, të pagëzuar prej tyre si "lepuri i Surrelit", u shfaqën të përpiktë në skenën e teatrit. Dikur ka qenë Teatri në ekran, (me sa mbaj mend të enjten ka qenë dhe në atë kohë), tani është teatri në Parlament.

Në përpjekje për të tretur turpin e pazarit me firmat e Avokatit të Popullit, deputetët që ishin dhe firmëtarët kryesorë, u turren në skenë dhe luajtën lojën e tyre. Një tango tashmë. E një tango kërkon dy kërcimtarë, që me sa duket e kanë gjetur veten PS-PD.
E njëjta gjë edhe me kodin zgjedhor para më shumë se një viti, ku pazari u pasua me skena të ngjashme teatrale, me të njëjtit aktorë protagonistë, me ca prurje të reja që spikatin më shumë në rol. E njëjta gjë me amnistinë. Pazar që pasohet nga skena "lufte" në Parlament.

Njerëzit nuk janë më budallenj, tashmë e dinë se pas skenës së Teatrit, prapa perdes ka gjithmonë një "deal", ku asnjë palë nuk humbet, veç interesi real i qytetarëve shqiptarë.

E po flasim në fakt për opozitën "e vërtetë", jo atë "të shitur" para disa vitesh te Edi Rama.

Që të jemi realistë, kjo skena e gjasmë luftës në Kuvend i intereson vetëm Edi Ramës. Edhe sot teatri nuk shërbeu për asgjë. Endri Shabani u betua si Avokat i Popullit, madje pati edhe lirinë të dërgonte edhe një puthje dashurie për deputetët e opozitës që ia shtruan rrugën drejt asaj karrigeje.

 

Happening now...

ideas