Shqiptarët, me “zemër të dobët”/ Vlerësohet si shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend për vitin 2024

18 Qershor 2025, 16:20 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Shqiptarët, me “zemër të dobët”/ Vlerësohet

Sipas të dhënave demografike të publikuara nga INSTAT për numrin e vdekjeve në vitin 2024, rezulton të kemi një rritje. Gjatë këtij viti është shënuar një rritje e fataliteteve me 3.8%, krahasuar me vitin 2023. Në total u regjistruan rreth 22 mijë vdekje gjatë vitit që lamë pas, kundrejt rreth 21 mijë në vitin 2023.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e INSTAT për sa i përket shkaqeve të fataliteteve, ku kryesojnë shkaqet natyrore, por edhe aksidentet. Rikujtojmë se me termin “shkak i fataliteteve” nënkuptohet sëmundja ose simptoma që ka kontribuar në humbjen e jetës, si dhe rrethanat e aksidentit që kanë sjellë pasoja fatale. Në vitin 2024, 97% e vdekjeve ishin si pasojë e shkaqeve natyrore, ndërsa 1.9% nga aksidentet.

Por cilat kanë qenë shkaqet e vdekjeve natyrore sipas grupeve kryesore të sëmundjeve? Sipas të dhënave, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut kryesojnë me 52.9% të totalit të fataliteteve. Numri i të prekurve nga këto sëmundje është në rritje dhe, brenda këtij grupi, rezulton se 39.1% e personave që kanë ndërruar jetë vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës. Po ashtu, 23.2% kanë qenë të prekur nga sëmundjet ishemike të zemrës dhe 20.6% nga sëmundjet e enëve të trurit. Të dhënat tregojnë se për këtë kategori, vdekshmëria e femrave dhe e meshkujve është thuajse e barabartë.

Pas sëmundjeve të zemrës, shkaqet e fataliteteve sipas grupeve të sëmundjeve përfaqësohen nga sëmundjet e papërcaktuara mirë, të cilat zënë 21.5% të totalit. Këto sëmundje kanë shkaktuar numrin më të lartë të vdekjeve tek femrat, ku 70.7% e rasteve klasifikohen si vdekje nga pleqëria.

Ndërkohë, edhe tumoret përbëjnë një shkak të rëndësishëm të fataliteteve, duke u renditur në vendin e tretë me 15.3% të totalit të vdekjeve gjatë vitit 2024. Brenda këtij grupi, në 34.6% të rasteve vdekja ka ardhur nga tumoret malinje të aparatit tretës, në 23.9% nga tumoret malinje të aparatit të frymëmarrjes dhe në 15.1% nga tumoret malinje të organeve gjenitale. Sipas statistikave, në Shqipëri, gjinia mashkullore rezulton më e prekur nga sëmundjet tumorale.

Nëse i referohemi numrit të fataliteteve sipas moshës, për grupmoshën 0-19 vjeç, në 30.8% të rasteve vdekjet kanë ardhur nga sëmundjet e lindura dhe në 26.2% nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut. Ndërsa për grupmoshën 20-44 vjeç, në 28% të rasteve shkaku i vdekjes kanë qenë dëmtimet traumatike dhe helmimet, ndërsa sëmundjet e qarkullimit të gjakut zënë 32.7%.

Vdekjet e foshnjave kanë pësuar një ulje, pasi në vitin 2024 u regjistruan 110 raste, krahasuar me 144 në vitin 2023./SCAN

 

Po ndodh...

ide