Sulmojnë SPAK-un për llogari të Berishës/ Agron Gjekmarkaj në garë me Flamur Nokën

6 Prill 2024, 14:41 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Sulmojnë SPAK-un për llogari të Berishës/ Agron Gjekmarkaj

Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit, Flamur Noka, sulmoi SPAK-un me gjuhën e Berishës, duke thënë se kur të vinin në pushtet, do ta shkrinin si strukturë.

Duke qenë se te grupimi i Rithemelimit të gjithë janë në garë se kush sulmon më shumë SPAK-un dhe kush i thur më shumë lavde Sali Berishës, ditën e sotme ka qenë radha e Agron Gjekmarkajt për ta rivalizuar Mulin e famshëm të Doktorit.

Pavarësisht se i vendosur në pasqyrën e koherencës, Gjekmarkaj është shembulli se si nuk duhet të jetë një intelektual dhe një politikan, duke qenë njeriu që në gjashtë muaj ka ndryshuar gjashtëmbëdhjetë qëndrime, të gjitha në kundërshtim me njëra-tjetrën, ai sot ka marrë guximin për të lëpirë aty ku ka pështyrë për muaj me radhë.

Çudia me këtë deputet është se në mëngjes shpallet si euro-atlantik, ndërsa në drekë sulmon me gjuhën e Mul Nokës investimin më të madh të SHBA-ve dhe BE-së në Shqipëri, që është Struktura e Posaçme Antikorrupsion.

“Kambana e alarmit ka rënë ! Lideri i Opozitës , themeluesi i pluralizmit pa akuze, pa hetim, mbahet ne arrest për llogari te pushtetit!” – tha Gjekmarkaj, veç të tjerash, nga Berati.

Edhe pse arsyeja dhe logjika nuk hyn në punë tek ato që thonë deputetët e llojit të Gjekmarkajt, vlen të përmendet se, përveç tyre dhe Edi Ramës, Sali Berishën nuk e njeh askush për lider të opozitës.

SPAK nuk po e heton atë si liderin e opozitës, por si ish-kryeministër që ka abuzuar me detyrën.

Po ashtu, nuk ka asnjë ambasadë, asnjë shtet mik, asnjë vend europian, afrikan, aziatik apo amerikan, nuk ka asnjë organizatë ndërkombëtare, asnjë raport të të drejtave të njeriut në botë, apo asnjë lider botëror, i kujtdo vendi qoftë, që ka folur, e ka përmendur apo e ka ngritur shqetësimin që në Shqipëri po mbahet i burgosur për llogari të pushtetit lideri i opozitës.

Fjala vjen, nëse për liderin e opozitës ruse, që u gjet i pajetë në burg, u ngrit në këmbë e gjithë Bota, për Berishën edhe vetë Gjekmarkaj po flet kështu vetëm kohët e fundit për një vend deputeti, sepse pak muaj më parë mendonte ndryshe dhe artikulonte ndryshe.

Është për të ardhur keq se ku arrijnë të përfundojnë disa njerëz vetëm për një karrige deputeti, por Gjekmarkaj është shembulli se si një politikan dhe, mbi të gjitha, një intelektual nuk duhet të jetë.

Po ndodh...