Çfarë është “BESA”, strategjia e re e Kryeministrit Rama

26 July 2026, 13:44 / POLITIKË ALFA PRESS

Çfarë është “BESA”, strategjia e re e

Kryeministri Edi Rama u dorëzoi javën e shkuar deputetëve dhe ministrave një dokument strategjik mbi qasjen që duhet të ndjekë shumica socialiste gjatë mandatit të katërt qeverisës.

Dokumenti, i titulluar “BESA — Nga transformimi i vendit te fuqizimi i besimit: kthesa e mandatit të katërt”, paraqet mënyrën se si duhet të ndryshojë vendimmarrja dhe funksionimi i qeverisë në të ardhmen.

Në dokument, Kryeministri pranon në mënyrë të drejtpërdrejtë se, pavarësisht shumicës së madhe në Kuvend, Partia Socialiste përballet me një krizë besimi nga qytetarët.

Sipas tij, kjo krizë lidhet kryesisht me dështimin e institucioneve për të dëgjuar, informuar, shpjeguar dhe reaguar ndaj qytetarëve.

Më poshtë është një përmbledhje e pikave dhe propozimeve kryesore të dokumentit, i cili u drejtohet qeverisë, administratës dhe drejtuesve të lartë të qeverisjes socialiste.

1. Shkaku i krizës: “paradoksi i suksesit”

Kryeministri e paraqet pakënaqësinë e tanishme si pasojë të zhvillimit dhe transformimit të arritur gjatë tre mandateve socialiste.

Për ta shpjeguar këtë, ai propozon një teori që e quan “paradoksi i suksesit”:

“Sa më shumë ecën përpara një shoqëri, aq më pak ajo gjykon për çka është arritur dhe funksionon, e aq më shumë ajo fokusohet tek çka mungon dhe nuk funksionon.”

Sipas tij, shoqëritë e varfra janë më tolerante ndaj mungesave, sepse sundohen nga mendësia “ka edhe më keq”. Shqipëria e ka lënë pas këtë fazë, thotë Kryeministri, dhe ka hyrë në një fazë të re, të sunduar nga mendësia “ka edhe më mirë”, në të cilën shoqëria bëhet gjithnjë e më pak tolerante ndaj çdo gjëje që mungon ose nuk funksionon.

Tre mandatet e para të Partisë Socialiste përfaqësuan, sipas dokumentit, “shtetin që ndërton”, i cili ndryshoi rrënjësisht Shqipërinë, duke u përqendruar te infrastruktura fizike dhe modernizimi i shtetit.

Mandati i katërt duhet të përfaqësojë “shtetin që kujdeset”, duke u përqendruar te cilësia e shërbimeve, mirëmbajtja, përvoja e qytetarit dhe fuqizimi i besimit.

2. “Metoda Besa” në qeverisje

Për të fuqizuar besimin, Kryeministri propozon atë që e quan “Metoda Besa”. Kjo metodë mbështetet në zhvillimin e shtatë aftësive të qeverisjes:

Aftësia për të dëgjuar. Duhet kaluar nga reagimi te kuptimi. Institucionet duhet të kuptojnë shqetësimet dhe të kapin sinjalet përpara se pakënaqësia të kthehet në krizë. Për këtë, dëgjesat publike duhet të marrin një rol më të rëndësishëm në punën e qeverisë.

Aftësia për të provuar. Vendimmarrja nuk duhet të mbështetet vetëm në intuitë apo gjykim politik, por në evidencë dhe të dhëna të verifikueshme.

Aftësia për të shpjeguar. Duhet kaluar nga komunikimi te mirëinformimi. Transparenca nuk duhet të kufizohet vetëm te publikimi i një vendimi, por duhet të përfshijë shpjegimin se pse dhe si është marrë ai.

Aftësia për t’u kujdesur. Duhet kaluar nga investimi te përvoja e qytetarit. Duhet mirëmbajtur çdo gjë që është ndërtuar, por edhe të garantohet cilësia e shërbimeve dhe zgjidhja e problemeve të përditshme që qytetarët i paraqesin shtetit.

Aftësia për të matur. Shteti nuk duhet ta masë punën vetëm me atë që bën—ligjet e miratuara, projektet e realizuara apo buxhetet e shpenzuara—por me ndikimin që këto kanë në jetën e qytetarëve dhe në nivelin e besimit të tyre.

Aftësia për të mësuar. Gabimet nuk duhen parë vetëm si dështime, por duhen analizuar për të nxjerrë mësime dhe për të përmirësuar punën. Dokumenti propozon kalimin nga kultura e fajësimit te kultura e përgjegjësisë institucionale.

Aftësia për të parashikuar. Duhet kaluar nga administrimi i krizave te parandalimi i tyre. Qeveria duhet t’i kapë në kohë sinjalet që vijnë nga shoqëria dhe të reagojë përpara se pakënaqësia të kthehet në krizë.

3. Mekanizmat zbatues të “Metodës Besa”

Për secilën prej shtatë aftësive, dokumenti propozon një mekanizëm konkret zbatimi.

Vlerësimi i Dëgjesës. Për çdo reformë ose vendim të rëndësishëm duhet të zhvillohen dhe analizohen dëgjesa të strukturuara publike. Vlerësimi duhet të përmbledhë shqetësimet e qytetarëve, grupet më të prekura, alternativat e propozuara dhe konfliktet e mundshme.

Dosja e Evidencës. Për çdo reformë ose vendim strategjik duhet të hartohet një dosje me faktet dhe evidencën që e justifikojnë atë, përfshirë alternativat e shqyrtuara, ndikimin e pritshëm dhe rreziqet e mundshme.

Memorandumi Shpjegues. Çdo reformë dhe vendim me ndikim të gjerë duhet të shoqërohet me një dokument të shkurtër dhe me gjuhë të thjeshtë, i cili shpjegon problemin, arsyen e ndërhyrjes, zgjidhjen e përzgjedhur, ndryshimet për qytetarët dhe mënyrën se si do të matet rezultati.

Indeksi i Kujdesit. Çdo investim publik duhet të vlerësohet jo vetëm për ndërtimin, por edhe për mirëmbajtjen dhe cilësinë e shërbimit që ofron. Indeksi do të nisë me shkollat, rrugët dhe hapësirat publike.

Paneli i Performancës. Do të hartohet një panel me të dhëna për vlerësimin e institucioneve qeveritare. Ai do të përfshijë rezultatet e arritura, cilësinë e shërbimeve, përvojën e qytetarëve, kohën e reagimit dhe nivelin e besimit publik.

Rishikimi Pas Veprimit. Pas përfundimit të çdo faze të rëndësishme të zbatimit të një politike, reforme apo projekti duhet të bëhet një vlerësim i ecurisë dhe rezultateve, për të identifikuar gabimet, për të nxjerrë mësime dhe për të përmirësuar zbatimin.

Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm. Do të ngrihet një sistem që mbledh në mënyrë të vazhdueshme informacione nga administrata, territori, institucionet dhe publiku, për të kapur sa më herët sinjalet e problemeve që mund të shndërrohen në kriza.

4. Zbatimi i metodës

Zbatimi i kësaj qasjeje do të mbështetet në tre instrumente kryesore:

Njësia BESA, e cila do të vendoset pranë kryeministrit dhe do të përcaktojë standardet dhe koordinojë zbatimin e metodës nga institucionet qeverisëse.

Platforma Digjitale "Pasqyra e Flamingos", e cila do të shërbejë si një arkiv publik online për çështjet me interes të lartë publik. Në të do të publikohen dokumenta, raportet e dëgjesave, shpjegimet, afatet, zotimet dhe rezultatet e politikave dhe vendimeve të rëndësishme.

Barometri Kombëtar i Besimit, do të jetë sondazh periodik për matjen e rregullt të besimit të publikut tek institucionet, të dhënat e të cilit do të bëhen publikohen.

5. Prova e parë e metodës: Testi Vjosë–Narta

Mekanizmat e “Metodës Besa do të testohen për herë të parë në projektin e zhvillimit në zonën Vjosë–Narta.

Kryemisnitri premton që brenda 90 ditëve të zhvillohen: dëgjesa të strukturuara me publikun (banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët, sipërmarrjet e zonës dhe grupet që kanë protestuar); një vlerësim të pavarur mjedisor dhe ekonomik me ekspertë të pavarur); publikimi i dokumentave që nuk janë konfidenciale apo private.

Pas këtij proces do të merret një vendimi të arsyetuar për hapat e mëtejshëm në varësi të ligjit, kontratave dhe provave të fazës së dëgjesave dhe vlerësimeve përshkruar më sipër.

6. “Rilindja 2.0”

Në përfundim, Kryeministri e quan qasjen e re dhe zhvendosjen e vëmendjes së qeverisjes nga ndërtimi te kujdesi si fillimin e “Rilindjes 2.0”.

Në vitin 2013, Kryeministri Rama erdhi në pushtet duke propozuar “Rilindjen”, transformimin e Shqipërisë kryesisht përmes investimeve dhe ndryshimit urban/Exit.al

 

 

Po ndodh...

ide