"Besa" e Ramës, një premtim në kohën e gabuar

25 July 2026, 20:28 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI

"Besa" e vetme e një kryeministri është të ndërtojë një shtet të së drejtës, ku udhëheq zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia. Të pohosh se zyrtarët e tu kanë prapanicën në vend të fytyrës dhe të kërkosh si pa të keq vijimin e kontratës je ose hipokrit, ose gënjeshtar. Nuk mundet që të kërkosh Besën, kur vetë nuk ke treguar se e mban besën për atë që ke premtuar. 
Natyrisht, ky proces qesharak ka garanci opozitën më qesharake, që këmbëngul të mos pranojë se protesta e ka ndarë përfundimisht kohën e ideve politike- nuk ka më komunistë dhe antikomunistë, por të korruptuar e të pakorruptuar, të besueshëm dhe të pabesueshëm. Dhe Rama, me fjalimin e së premtes, e la të kuptohet se pas kësaj proteste nuk do ndeshet më me një Berishë të “zgërlaqur” politikisht nga mosbesimi popullor dhe refuzimi ndërkombëtar, por do ketë pjesën e zgjuar të shoqërisë që e sheh protestën si venë të një “gardhi” të ri politik.
Edi Rama mund të shpalosë në dokumentin e "Besës" shumë të vërteta për qeverisjen e tij, por pas 13 vitesh në pushtet, duke hyrë në vitin e 14, ai nuk mund të shkruajë aty më kryesoren- ai i ka prerë në Besë shqiptarët, duke ndërtuar një qeverisje që e sheh qytetarin si një mekanizëm fitimprurës, që mund ta shfrytëzojë për vota, për ryshfet, për denoncim, por jo ta dëgjojë si një individ me dinjitet. Mjafton bullizimi deri në skaje që Rama i bën kujtdo që e kritikon për të mos e dëgjuar aspak monolog-besprerin. Dhe është e tmerrshme kur sheh vetë Ramën të vetëkënaqet për një fjalim plot metafora. Por vetë ai e di se kur kuptohet që ke veç fjalë, ato nuk hyjnë më në punë, pasi njerëzit kuptojnë që veprat janë karakteri i vërtetë, e jo fjalët.
Gjithsesi, i vënë në të njëjtin kandar politik me Berishën që nga fillimi i protestës, ai e ka kuptuar që vetëm linçimi i Berishës nuk e ndihmon më në betejën politike, ndaj po tenton të bëjë një ndarje- të shpërfillë Berishën që nuk ka më asnjë shpresë për rivalizim, dhe të gjejë një opozitë pa parti, siç janë qytetarët e zemëruar. Ky hap përbën ndoshta hilenë më të madhe, pasi kërkon të bëjë vetë rolin e opozitës, duke tentuar të zhdukë një nga mekanizmat më të rëndësishëm në një demokraci liberale.
Në këtë proces ai ka një aleat, pafuqinë e PD-së për t'u shkundur nga apatia dhe pafuqia për të pranuar situatën e vetvetes përballë shqiptarëve, si dhe pafuqinë e Shehajt, Lapajt e Qorit për të bërë një front të përbashkët që të përfaqësojë një zë sa më afër protestës.
Gjithsesi, Rama e di që kontrata e "Besës" mund t'i vlejë vetëm me grupin parlamentar dhe drejtuesit e PS, pasi prej kohësh ka humbur edhe "magjinë e algoritmit" që prej javësh e nxjerr Ramën të padëshiruar në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ai e di mirë se i mbështetur vetëm te shpresa që PD do mbetet peng i Berishës, nuk ka më një garanci politike.

Po ndodh...

ide