Tragjedi në Brazil/ Harrojnë t’i lidhin litarin e sigurisë, 21-vjeçarja hidhet nga ura dhe bie 40 metra drejt

14 Qershor 2026, 13:01 / BOTA ALFA PRESS

Tragjedi në Brazil/ Harrojnë t’i lidhin litarin e sigurisë,

Një ngjarje tronditëse ka shokuar Brazilin dhe rrjetet sociale në mbarë botën. Maria Eduarda Rodrigues de Freitas, vetëm 21 vjeçe, humbi jetën në mënyrë tragjike pasi organizatorët e një kërcimi ekstrem dyshohet se harruan t’i lidhnin litarin e sigurisë para se ta hidhnin nga një urë.

Sipas mediave braziliane, e reja po merrte pjesë në një aktivitet të organizuar të kërcimit me litar nga e ashtuquajtura “Ura e Skeletit” në qytetin Limeira. Në pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Maria shihet duke u përgatitur për kërcimin, pa e ditur se pas saj fshihej një gabim fatal.

Momente më vonë, ajo hidhet nga ura dhe bie rreth 40 metra në humnerë, pasi litari i sigurisë nuk ishte lidhur. Në video, sipas raportimeve, litari mund të shihet i mbetur në tokë, ndërsa 21-vjeçarja bie drejt vdekjes.


Ironikisht, pak para tragjedisë, Maria kishte publikuar foto dhe video nga aktiviteti në rrjetet sociale. Në një prej postimeve të saj, ajo kishte shkruar me humor:

“Kush ishte ai person i çmendur që më la të hidhem nga një urë?”

Një fjali që pas ngjarjes është kthyer në detajin më rrëqethës të gjithë historisë.

Policia ka arrestuar tre persona dhe ka nisur hetime për të zbardhur përgjegjësitë. Sipas autoriteteve, dy personat që po përgatisnin të renë për kërcimin nuk kanë arritur të shpjegojnë se si ndodhi gabimi dhe kush kishte detyrën të kontrollonte lidhjen e litarit të sigurisë.

Autoritetet kanë bërë me dije se nuk ishte kërcimi i parë i ditës. Dhjetëra persona të tjerë kishin kryer të njëjtin aktivitet pa asnjë incident, çka e bën tragjedinë edhe më të rëndë.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë njerëz kërkojnë ndëshkim maksimal për personat përgjegjës për vdekjen e 21-vjeçares.

Po ndodh...

ide