Rriten shpresat/ SHBA dhe Irani drejt një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës

15 Prill 2026, 21:03 / BOTA ALFA PRESS
Rriten shpresat/ SHBA dhe Irani drejt një marrëveshje për

SHBA dhe Irani kanë bërë përparim në bisedimet e fundit, duke iu afruar një marrëveshjeje kornizë për t’i dhënë fund luftës, sipas zyrtarëve amerikanë, raporton Axios.

Negociatat, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, synojnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura përpara skadimit të armëpushimit më 21 prill.

Burime zyrtare theksojnë se, megjithë progresin, një marrëveshje nuk është e garantuar për shkak të dallimeve të mëdha mes palëve. Një delegacion pakistanez, i kryesuar nga komandanti i ushtrisë Asim Munir, mbërriti në Teheran për të vijuar përpjekjet diplomatike.

Pas kuintave, ekipi negociator i presidentit Donald Trump – që përfshin zëvendëspresidentin J.D. Vance, të dërguarin Steve Witkoff dhe këshilltarin Jared Kushner – ka vijuar komunikimet intensive me palën iraniane dhe ndërmjetësit, duke shkëmbyer propozime dhe drafte marrëveshjesh.

Zyrtarët amerikanë shprehen optimistë, duke theksuar se ekziston vullnet për marrëveshje nga disa segmente të qeverisë iraniane, por sfida mbetet arritja e një konsensusi të plotë në Teheran.

Një raund i ri bisedimesh direkte pritet të zhvillohet në ditët në vijim, edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar.

Nëse arrihet një marrëveshje kornizë, ajo pritet të pasohet nga zgjatja e armëpushimit për të negociuar detajet e një marrëveshjeje të plotë, pasi çështjet teknike dhe politike konsiderohen shumë komplekse për t’u zgjidhur në pak ditë.

Ndërkohë, presioni ndaj Iranit është rritur ndjeshëm.

Sipas zyrtarëve amerikanë, bllokada detare e vendosur nga SHBA ka reduktuar ndjeshëm eksportet e naftës, burimin kryesor të të ardhurave për ekonominë iraniane.

Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i plotë i eksporteve mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata për industrinë energjetike të vendit.

Ekonomia iraniane ishte tashmë nën presion nga sanksionet, ndërsa lufta dhe sulmet ajrore të SHBA-ve dhe Izraelit kanë përkeqësuar më tej situatën, duke goditur sektorë kyç si industria e çelikut dhe ajo petrokimike.

Megjithë zhvillimet pozitive në negociata, mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare përpara skadimit të armëpushimit.

Po ndodh...

ide