Grabitja spektakolare e Louvrit, publikohen fotot e kurorës së Perandoreshës Eugénie që u ‘harrua’ nga hajdutët! Muzeu hap tenderin për një restaurues

Muzeu i Luvrit ka njoftuar planet për restaurimin e kurorës së Perandoreshës Eugénie, e cila u braktis nga hajdutët gjatë arratisjes së tyre pas një grabitjeje të bujshme në muzeun e Parisit vitin e kaluar.
Gjatë grabitjes së tetorit, autorët u larguan me bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (104 milionë dollarë), por hodhën kurorën 170-vjeçare teksa po iknin.
Sipas Luvrit, kurora u gjet “e deformuar rëndë”, por megjithatë ishte “pothuajse e paprekur” dhe mund të restaurohet “pa pasur nevojë për rindërtim”. Të gjithë smeraldët kanë mbetur në vend, ndërsa mungojnë vetëm 10 diamante.
Kurora ishte pjesë e një çifti të porositur nga Napoleoni III në vitin 1855 për veten dhe bashkëshorten e tij, edhe pse asnjëri prej tyre nuk pati një ceremoni zyrtare kurorëzimi.
Zyrtarët e muzeut bënë të ditur se kurora ruan ende të gjithë 56 smeraldët e saj, ndërsa i mungojnë vetëm 10 diamante “shumë të vegjël” nga gjithsej 1.354 që e zbukuronin fillimisht. Nga tetë shqiponjat e arta rreth buzës së kurorës, vetëm një rezulton e humbur.
Muzeu do të hapë një proces tenderimi konkurrues për përzgjedhjen e një restauratori të certifikuar, në përputhje me Kodin Francez të Trashëgimisë.
Procesi do të mbështetet nga një komitet i ri këshillimor ekspertësh, i përbërë nga përfaqësues të muzeut dhe specialistë të bizhuterive.
Gjithashtu, Luvri do të ftojë nga një përfaqësues nga secila prej pesë shtëpive historike të bizhuterive — Mellerio, Chaumet, Cartier, Boucheron dhe Van Cleef & Arpels — për t’u bashkuar me komitetin këshillimor.
Truri i grabitjes ende në arrati
Grabitja e paprecedentë e bizhuterive në Luvër në tetor çoi në një rishikim të thellë të masave të sigurisë në muze.
Autoritetet franceze kanë arrestuar katër anëtarët e dyshuar të grupit që kreu grabitjen, por sipas zyrtarëve, organizatori kryesor mbetet ende në arrati.
Gjatë grabitjes u vodhën tetë pjesë nga thesari i kurorës franceze, përfshirë një gjerdan smeraldi që i përkiste Marie-Louise, bashkëshortes së dytë të Napoleon Bonapartit, tre pjesë nga një set bizhuterish me safirë, si dhe një diademë tjetër e Perandoreshës Eugénie e zbukuruar me perla. Asnjë prej bizhuterive të vjedhura nuk është gjetur deri më tani.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128