Ku po shkojmë?

4 Shkurt 2026, 21:12 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Ku po shkojmë?

Viti 2026. Shqipëria ka 35 vjet që beson se ka rrëzuar diktaturën komuniste një diktaturë e ndërtuar mbi kultin e individit, mbi adhurimin dhe fetishizimin e “super-njeriut”, të vendosur diku mes Zotit dhe njerëzve. Por 35 vjet më vonë, vendi ndodhet sërish në një rrugëtim të errët, në një shteg më kaotik dhe më të paqartë se kurrë.

Kulti i individit jo vetëm që nuk ka rënë; ai është rikthyer tragjikisht me të njëjtët personazhe. Të njëjtët individë që në fillim të viteve ’90 dolën nga Blloku nga djepi i nomenklaturës së PPSH-së kanë ndërtuar sot monumentet e tyre politike dhe, me hijen e tyre, errësojnë shoqërinë shqiptare: Edi Kristaq Rama dhe Sali Berisha, ish-doktor i Byrosë Politike.

Është e pabesueshme sesi një vend në zemër të kontinentit europian, kontinentit që ka prodhuar filozofinë e demokracisë, të lirisë individuale dhe të shtetit modern mbetet kaq i paaftë për të ndërtuar institucione funksionale dhe një rend politik post-kultik.

Por gabojmë rëndë nëse mendojmë se problemi i Shqipërisë janë thjesht një apo dy individë të këqij në pushtet. Gabimi i vërtetë është më i thellë.
Ne jemi një shoqëri që ka hequr dorë nga dashuria për individin e lirë dhe e ka zëvendësuar atë me adhurimin e pushtetit.

Në këtë vend, diktatura nuk ra; ajo ndërroi formë. Nga dhuna e hapur kaluam te bindja e pranuar, nga frika te justifikimi moral i pushtetit. Kulti i individit mbijetoi sepse u zhvesh nga ideologjia dhe u vesh me pragmatizëm ekstrem egoist.

Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë anomali historike. Ata janë simptoma.

Kulti i individit nuk është një aksident shqiptar; është zëvendësimi i mendjes me adhurimin ndaj liderve.

Autokracia dhe kulti i individit në Shqipëri është fenomen shoqëror, i krijuar nga vetë populli jo nga një faktor i jashtëm, bashkëpunimin pasiv ose jo i masës dërrmuese të shoqërisë.

Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë kundërshtarë ideologjikë. Janë produkte të së njëjtës filozofi: besimit se shteti është pronë personale dhe se populli shërben si justifikim moral për çdo abuzim.

Pushteti në Shqipëri nuk buron nga mendje të lira, por nga trupa të bindur. Diskursi i votës është shndërruar në alibi: “jemi këtu se na kanë votuar” nuk është shprehje legjitimiteti moral, por mjet për të mbyllur çdo pyetje. Rama e justifikon pushtetin e tij me votën e masës.
Demokracia nuk ka lidhje me legjitimitetin e rremë të shumicës.Sepse shumica nuk krijon të drejtë.

Një grabitje e votuar mbetet grabitje. Një korrupsion i mbështetur nga turma mbetet korrupsion.Rama dhe Berisha e perceptojnë votën si mjet që mund të maskojë abuzimin, sepse janë produkt i nomeklaturës së Bllokut komunist.
Demokracia nuk është adhurim i numrave; është mbrojtje e të drejtave të individit ,pikërisht ajo që sot shkelet.

Kur pushteti legjislativ sulmon drejtësinë, ai nuk po mbron sovranitetin. Ai po mbron frikën personale të atij që e di se, pa pushtet, do të përballet me ligjin. Dhe sa më afër i vjen drejtësia, aq më e egër bëhet etja për kontroll absolut.

Edi Rama, në pushtet që prej vitit 1998 si ministër, kryetar bashkie dhe prej 2013 si kryeministër, po përjeton një fenomen të rrallë: teksa skandalet e korrupsionit shpërthejnë njëra pas tjetrës, ai mbrohet me një fjali të vetme:
“më kanë votuar”.
Edi Rama është arketipi i liderit që nuk bie nga pushteti kur ekspozohet vjedhja dhe korrupsioni i tij, sepse ai jeton në Shqipërinë ku “shumica” është mburojë penale… njësoj si bolshevizmi.

Sa më shumë përplaset me SPAK-un, aq më fort kapet pas pushtetit. Paralelisht, sa më e ftohtë bëhet marrëdhënia me SHBA-të, aq më shumë konsolidon pushtetin e brendshëm: reforma territoriale, sulme ndaj drejtësisë, shfrytëzim i nevojës gjeopolitike të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai luan fort, sepse e di që koha nuk është në anën e tij.

Aleati i tij kryesor mbetet oligarkia. Bizneset e mëdha janë të lidhura drejtpërdrejt me prokurimet publike, lejet e ndërtimit, kontratat shtetërore. Por më thellë se kaq: këta oligarkë janë pasqyra psikologjike e vetë Ramës : ego e pangopur, pragmatizëm i errët, pushtet si qëllim në vetvete. Ata e gjejnë veten tek Rama, dhe Rama e gjen veten tek ata.

Nga ana tjetër, pas kësaj kështjelle të errët, qëndron varreza e së shkuarës: Sali Berisha.

Relike politike që mishëron mitin më të vjetër dhe më të rrezikshëm: idenë se një “njeri i fortë” mund të zëvendësojë institucionet. Se një lider mund të jetë njëkohësisht ligji, morali, ekonomia dhe shpëtimi kombëtar.

Kjo nuk është politikë. Është regres deri në epokën fisnore të organizimit shoqëror.

Berisha i përket një kohe kur i pari i fisit merrte përsipër të nxirrte të vetët nga shpella. Konceptet e ndarjes së pushteteve, të check and balance, të kufizimit të liderit nga koha dhe progresi, nuk ekzistojnë në këtë mendësi. Dhe për fat të keq, as tek ndjekësit e tij.

Ndjekësit e tij mishërojnë njerëzit që kanë zgjedhur të ikin nga liria, adhurimi i liderit është nevojë psikologjike për ta, jo vetëm politike. Ata kanë nevojë për një “kryetar tribuje” që do ti luftojë korrupsionin, që shpartallojë bandat, që do jetë njëkohësisht edhe super gjykatës, prokuror edhe super ekonomist dhe ministër i jashtëm. Sepse janë njerëz të formësuar në epokën ku normalja ishte adhurimi i “liderit” të pazëvebdësueshëm me askënd.

Shqipëria nuk vuan nga mungesa e liderëve të mirë. Ajo vuan nga mungesa e individëve të lirë që refuzojnë të adhurojnë.

Nuk ka shpëtimtar. Nuk ka “baba”. Nuk ka njeri mbi ligjin.
Ka vetëm dy zgjedhje morale:

ose individi është sovran mbi jetën e tij,
ose pushteti është sovran mbi individin.

Historia tregon se Shqipëria, deri më sot, zgjedh vazhdimisht të dytën.
Dhe derisa të refuzojë kultin e “super-njeriut”, karikaturë e konceptit Niçean, ajo nuk do të ecë drejt Perëndimit por do të sillet në rreth, duke ndryshuar vetëm fytyrat e tiranisë.

Sot SPAK dhe GjKKO janë më të sulmuar se kurrë ë nga dy Individë që kanë kultet e tyre në Shqipëri. Dhe e vërteta është se po shohim një ndalesë të Drejtësisë përballë Sistemit Politik, dhe ky është një lajm shumë i keq.
Mesa duket edhe në 2026 Shqipëria do zgjedhë të jetojë në epoka ku flihej në shpella, dhe flitej për profetë të mëdhenj politikë.

Po ndodh...

ide