CNN: Zelensky ofron lëshime territoriale për paqen në Ukrainë! Topi është në fushën e Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shfaqur një gatishmëri të re për të bërë lëshime në disa pika kyçe të negociatave që deri tani kanë kërcënuar të vonojnë procesin e brishtë të paqes me Moskën, duke ia “kaluar topin” Rusisë. Kështu vlerëson CNN në një analizë të saj.
Gjatë një takimi të pazakontë, të hapur dhe të gjerë me gazetarët të martën, Zelensky dha detaje të reja mbi një plan me 20 pika, të cilin e përshkroi si “një dokument themelor për përfundimin e luftës, një dokument politik mes nesh, Amerikës, Europës dhe rusëve”.
Presidenti ukrainas foli gjithashtu për garancitë e sigurisë mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane, të cilat pritet të jenë një element kyç i çdo marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Zelensky tha se pret një përgjigje nga Moska të mërkurën, pasi pala amerikane të ketë bashkëpunuar me Kremlinin.
Drafti i marrëveshjes me 20 pika përfaqëson një version të shkurtuar të planit fillestar me 28 pika, të cilin SHBA-të e kishin diskutuar më herët me palën ruse.
Donetsku dhe zonat e çmilitarizuara
Në deklaratat e tij, Zelensky përshkroi atë që pala ukrainase e konsideron një kompromis të pranueshëm për tërheqjen e trupave nga disa pjesë të rajonit të Donetskut në lindje të Ukrainës, të cilat aktualisht nuk janë nën kontroll rus. Këto zona përfshijnë të ashtuquajturën “zonë fortesash”, me qytete të fortifikuara si Kramatorsk dhe Slovjansk, që aktualisht pengojnë çdo avancim të mundshëm rus më thellë në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Ukraina duhet të dorëzojë praktikisht të gjithë Donetskun që një plan paqeje të funksionojë. Nga ana e tij, Zelensky theksoi se Rusia duhet të tërheqë forcat e saj në mënyrë të barabartë me territorin nga i cili do të tërhiqeshin trupat ukrainase, duke krijuar një zonë të çmilitarizuar rreth disa linjave aktuale të frontit.
“ Nëse krijojmë një zonë të lirë ekonomike këtu, që në thelb do të ishte një zonë e çmilitarizuar – pra, forcat e rënda largohen nga kjo zonë – dhe distanca, për shembull, është 40 kilometra (mund të jetë 5, 10 apo 40 km), atëherë nëse Kramatorsku dhe Slovjanski janë zona jonë e lirë ekonomike, rusët duhet të tërheqin trupat e tyre përkatësisht 5, 10 apo 40 kilometra”, deklaroi Zelensky.
Ndër pikat kryesore të planit të paraqitur nga Zelensky përfshihen:
Konfirmimi i sovranitetit të Ukrainës dhe një marrëveshje mosagresioni mes Rusisë dhe Ukrainës;
Garanci sigurie për Ukrainën nga SHBA, NATO dhe shtetet europiane, të cilat sipas Zelenskyt do të “pasqyronin Nenin 5” të NATO-s për mbrojtjen kolektive. Këto garanci do të përfshinin reagim ushtarak dhe rikthim të sanksioneve ndaj Moskës në rast të një pushtimi të ri rus, por do të hiqeshin nëse Ukraina sulmon Rusinë pa provokim;
Një paketë zhvillimi për rimëkëmbjen ekonomike pas luftës, përfshirë krijimin e një Fondi të Zhvillimit të Ukrainës për investime në teknologji, qendra të të dhënave dhe inteligjencë artificiale, si dhe investime amerikane në sektorin e gazit natyror. Zelensky vlerësoi humbjet ekonomike nga lufta në rreth 800 miliardë dollarë;
Një kompromis për funksionimin e centralit bërthamor të Zaporizhias, aktualisht nën kontroll rus, i cili sipas propozimit do të menaxhohej nga një ndërmarrje e përbashkët SHBA–Ukrainë, me 50% të energjisë për Ukrainën dhe pjesën tjetër të shpërndarë nga SHBA;
Tërheqja e trupave ruse nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv;
Një marrëveshje ligjërisht detyruese, zbatimi i së cilës do të monitorohej nga një Këshill Paqeje nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump;
Një armëpushim i plotë që do të hynte në fuqi sapo të gjitha palët të bien dakord për marrëveshjen.
Kontrolli i territorit mbetet pika më e ndërlikuar e çdo marrëveshjeje. Zelensky foli edhe për mundësinë e një referendumi në Ukrainë për të formalizuar përfundimin e luftës.
“Njerëzit më pas do të mund të zgjedhin: a na përshtatet ky përfundim apo jo?”, tha ai. Sipas tij, një referendum kërkon të paktën 60 ditë dhe një armëpushim real gjatë kësaj periudhe, përndryshe procesi nuk do të ishte legjitim. Ai shtoi se në zonat nën kontroll rus nuk mund të garantohet një votim i drejtë, ndërsa në territoret e kontrolluara nga Kievi, çdo proces zgjedhor duhet të zhvillohet në kushte të sigurta.
Ukraina po përballet me presion për të mbajtur zgjedhje sa më shpejt pas një marrëveshjeje paqeje. Putin ka deklaruar prej kohësh se qeveria në Kiev nuk është legjitime. Mandati presidencial i Zelenskyt përfundoi në vitin 2024, por zgjedhjet nuk mund të zhvillohen nën ligjin ushtarak të vendosur pas pushtimit rus, masa që janë miratuar edhe nga parlamenti ukrainas.
Roli i SHBA dhe reagimi i Moskës
Përpjekja për paqe e administratës Trump, e udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, po ecën ngadalë javët e fundit. Gjatë fundjavës, delegacione ukrainase dhe ruse u takuan veçmas me përfaqësues amerikanë, bisedime që Witkoff i cilësoi “konstruktive dhe produktive”.
Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se emisari rus Kirill Dmitriev e ka informuar presidentin Putin për rezultatet e vizitës së tij në Miami dhe se Moska do të përcaktojë hapat e ardhshëm bazuar në këto informacione, duke vijuar kontaktet përmes kanaleve ekzistuese. Peskov nuk dha detaje të mëtejshme.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
